JUVELIVE

26 tetor 2009

Ranieri: Me Totin, do të kishim fituar

Ishte një ndeshje e shëmtuar: humbëm, duke pësuar vetëm një goditje në portë dhe gabuam shumë raste, por në të vërtet luajtëm dobët. Humbja, ndonëse e merituar, është pjesë e lojës”. Klaudio Ranieri analizon pa e dramatizuar shumë dështimin e parë në “Olimpiko” në stolin e Romës, nga ana e Livornos. “Ndoshta, ‑ shpjegon trajneri verdhekuq, ‑ paguam në aspektin psikologjik sforcimet e ndeshjes të së enjtes ndaj Fulhamit në Ligën e Europës. E nënvlerësuam Livornon, duke menduar që s’mund të na ndëshkonin.
Ata luajtën të mbyllur në mbrojtje, duke u rinisur me kundërsulm, ashtu siç e dinim: e kishim përgatitur ndeshjen pikërisht në këtë aspekt, por për fat të keq nuk arritëm të shënojmë gol”. Një tjetër paraqitje e dobët e Vuçiniçit, që humbi të paktën dy raste për gol: “Jo, Mirkoja nuk është një problem për mua, ‑ vazhdon Ranieri.
- Sulmuesit i përjetojnë momente të tilla: kur u ecën, gjithçka u shkon mirë, duke shënuar edhe me gju, por ndonjëherë u ecën edhe keq ama. Pati shumë raste, por nuk arriti të shënojë: herët a vonë do të zhbllokohet, shpresojmë që sa më shpejt të jetë e mundur, duke parë që pa Totin kemi pak “fishekë” për të qëlluar”. Mungesa e kapitenit është e rëndë për Ranierin: “Nuk duhet të gjejmë justifikime, por me të në fushë, do të kishim shënuar, ndoshta edhe golin e fitores”. Ranieri nuk ngushëllohet as kur analizon që zona Champions është vetëm katër pikë larg renditjes aktuale të verdhekuqve: “Është një zonë e nxehtë. Megjithatë jam i kënaqur nga puna e skuadrës që kur kam ardhur këtu”.