Trajneri verdhekuq është shprehur pesimist në lidhje me të ardhmen e Romës“Eshtë e vështirë të ndërtosh diçka që nuk është e jotja, ky do të jetë një vit përshtatjesh, i mbushur me sakrfica dhe zhgënjime”. Kjo ka qenë deklarata e Klaudio Ranierit në prag të sfidës në kampionat kundër Udinezes, edhe pas humbjes zhgënjyese në “Olimpiko” kundër Livornos. “Jemi katër pikë larg vendit të katërt dhe unë do të isha i gatshëm të firmosja për një pozicion të tillë në fund të sezonit, edhe pse do të më pëlqente të luftoja deri në fund”, ka nënvizuar trajneri verdhekuq.
“E dija se gjërat nuk do të kishin shkuar gjithmonë mirë, - ka shtuar ai. - Pres të kem vështirësi kur i kam të gjithë lojtarët në dispozicion, jo më kur një pjesë e mirë e tyre mungojnë. Nuk jam një magjistar, do ta kisha marrë me dëshirë drejtimin e kësaj skuadre në vitet e blerjeve të mëdha, tani e vetmja gjë që duhet të bëjmë është të luftojmë dhe të vazhdojmë përpara. Por e di se në fund me punë arrin të përmirësohesh, kam besim. Edhe pse jo gjihmonë mund të arrihet maksimumi”. Ranieri më pas ka thënë se do të presë ditën e sotme për të vendosur nëse do të aktivizojë Donin, ndërsa një fanellë si titullar do t’i jepet Huanit.
Ranieri ka komentuar edhe deklaratat e bëra nga Kapelo, sipas të cilit, në Itali komandojnë tifozët ultras: “Mund të them vetëm se vitin e kaluar kërkonim Stankoviçin tek Juventusi dhe nuk e kemi marrë, sepse ishte një lojtar i Interit dhe tifozëve nuk i pëlqente kjo gjë. Më pas, e keni parë se çfarë paraqitjesh është duke bërë Stankoviç”. Në fund, në lidhje me Totin: “Tani është më i qetë, ajo që duhej të bëhej është bërë”. Tekniku roman ka folur për një Françesko Toti të qetë dhe të vendosur ditën pas operacionit në gju që do ta mbajë larg fushave për rreth një muaj. “Nuk kemi një zëvendësues të Totit, - ka shpjeguar Ranieri. - As Menez nuk mund ta zëvendësojë. Do të luajmë në një mënyrë tjetër dhe do të përpiqemi të marrim një rezultat pozitiv”.