25 tetor 2009

Hysi vs Trepça, për vend të parë

Të dielën në Merdar do të zhvillohet ndeshja derbi e xhiros së 13-të e Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, me ç’rast takohen Hysi dhe Trepça.

Të dyja këto skuadra po kalojnë nëpër një formë mjaft të mirë dhe prijnë në tabelën e klasifikimit.

Pas 12 xhirosh të zhvilluara, Trepça zë vendin e parë në tabelën e klasifikimit me 24 pikë të tubuara, aq sa ka edhe Hysi, që gjendet në vendin e dytë.

Futbollisti i dalluar i Hysit, Elhami Berisha, thotë se të dielën skuadra e tij do t’i tregojë dhëmbët dhe kualitetin e vërtet të saj. “Takimi me Trepçën do të jetë shumë i vështirë. Dihet se Trepça është lider në tabelë. Hysi ka një skuadër më të organizuar dhe sulmin më të rrezikshëm. Kjo mendoj se është arma më e fortë e jona për të fituar. Të dielën do ta vërtetojmë në fushën e lojës se kush është Hysi. Në ndeshjet e fundit jemi në formë tepër të mirë dhe kjo na bën favoritë për ta fituar këtë ndeshje”, ka thënë Berisha.

Në anën tjetër, sulmuesi i rrezikshëm dhe këmbëshpejti i Trepçës, Uliks Emra, nuk ngurron që këtë ndeshje ta vlerësojë si derbi të stinorit. Ai tha se skuadra e tij do të dëshmojë se rezultatet e deritanishme nuk i ka arritur rastësisht, dhe do të tregojë se shumë seriozisht Trepça po e ndjek titullin e kampionit.

“Sikur për çdo ndeshje, jemi përgatitur edhe për takimin ndaj Hysit. Skuadra llapjane meriton respekt, sepse këtë e dëshmon fakti se gjendet në vendin e dytë të tabelës. Prandaj, për mua ky takim është derbi i stinorit. Ne do të mundohemi të fitojmë patjetër, që të dëshmojmë kështu se jemi kandidatët më seriozë për ta fituar titullin dhe se rezultatet e deritanishme nuk i kemi arritur rastësisht”, deklaroi Emra për Express.

Ndeshje tjetër e fortë do të zhvillohet në kryeqytet, ku Prishtina do të ndeshet me rivalin e vjetër të saj, Lirinë. Takim interesant do të zhvillohet po ashtu në Prishtinë, ndërmjet Flamurtarit dhe KEK-ut. Kurse, në Gjilan ndeshen dy skuadrat e fundit të tabelës, Gjilani dhe Vëllaznimi. Ballafaqim i bukur pritet të jetë edhe ai ndërmjet Besës dhe Ferizajt.

Superliga – Xhiroja e 13-të
E diel
Gjilani – Vëllaznimi
Hysi – Trepça
Prishtina – Liria
Besa – Ferizaj
Flamurtari – KEK-u
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 14:00