26 tetor 2009

Gasperini akuzon gjyqtarin: Na ndëshkoi

Për herë të parë e humb qetësinë e tij Xhian Piero Gasperini dhe akuzon, madje ashpër, gjyqtarin e ndeshjes me Kaljarin pas humbjes së Xhenoas: “Pashë ndikime shumë të mëdha tek gjyqtari, besoj se skuadra ime është penalizuar fort, ‑ tha trajneri gjenovez.
- Në pushim të ndeshjes, kur nuk kishte ndodhur asgjë e veçantë, pashë rreth gjyqtarit lojtarë dhe drejtues të Kaljarit dhe në pjesën e dytë, për çdo faull kishte presion, deri sa gjyqtari e humbi kontrollin. Pozicioni i golit të parë, kartoni i kuq i Moretit që s’ka të bëjë fare, pra s’kishte qetësi. E them tani, sepse e thashë edhe në Bolonjë, ku fituam 3‑1. Kjo humbje e tretë radhazi e jona duhet analizuar ndryshe nga të tjerat, ishte e pamerituar jo si ato me Interin e Lilën”.