Ka kohë që me një grup miqsh po debatojmë për sasinë dhe cilësinë e diskutimeve rreth ekipit kombëtar të futbollit dhe disa klubeve kryesore të vendit tonë. Këto diskutime, ndonjëherë edhe me të dhëna statistikore të ndeshjeve, janë konturuar në disa drejtime, por më të rëndësishme janë tre. E para ka lidhje me debatet mediatike, të cilat duhet pranuar se kanë qenë dhe janë të mbushura me fantazi dhe iluzione, në pak raste me konkretizime analitiko‑statistikore. E dyta është e ndërvarur me të parën, por që kulmon me dëshirën e disa specialistëve për ta bërë futbollin sa më pak të lexueshëm. E treta është e lidhur me dëshirën e një grupi “specialistësh”, të cilët me kokëfortësi këmbëngulin që të drejtën e analizës së ndeshjeve të futbollit ta kenë vetëm ata. Kjo bëhet më domethënëse kur konstaton se asnjëri prej tyre nuk punon direkt në institucionet e mendimit dhe realizmit sportiv. Pra, ende tek ne “ligjin” duhet ta bëjnë individë, që nuk kanë staturën e mjaftueshme për të dhënë qoftë dhe mendime për futbollin apo një sport tjetër. Këto janë disa prej arsyjeve më serioze, të cilat kanë sjellë gjendjen që kemi sot. Njëherësh, duhet pranuar se ka raste që analizën e veprimeve numerike në një ndeshje futbolli e kanë plotësuar deri në masën “shumë mirë” disa ekspertë, ndër më seriozët, si dr. Mustafa Fagu, prof.dr. Skënder Dedja dhe në disa raste edhe trajneri Bardh Minxhaj. Kjo do të thotë se trajtesa e këtij shkrimi do të jetë me shkakësi lineare dhe në ndonjë rast edhe me shkakësi të ndërthurur. Kjo analizë është bërë me këtë dimension, pasi ka qenë dhe është e pamundur që një person i vetëm të mund të realizojë analiza të plota me shkakësi të ndërthurur. Ndërkohë, këmbëngul se ka ardhur koha që sporti gjithpërfshirës i futbollit duhet të nisë nga puna për plotësimin e analizave shkakore të ndërthurura, pasi jemi i vetmi vend në Europë që nuk kryejmë studime komplekse multidimensionale dhe më pas të bëjmë analiza shkakore të ndërthurura. Pa këto studime nuk mund të dalim në konkluzione për gjendjen dhe mundësitë e futbollit sot dhe nesër.FSHF, mendimi dhe realizmi futbollistik
Kam vënë këtë nëntitull, pasi mendoj se FSHF-ja ka bërë një punë, hera-herës cilësore në drejtim të kualifikimit të trajnerëve, ndërsa në aspektin e analizave statistikore të ndeshjeve ende nuk ka dalë nga “gjumi letargjik”. Pa një ndërthurje të saktë të këtyre dy aspekteve nuk ka se si të arrijmë të kuptojmë çka është lektuar me trajnerët në kurset e kualifikimit. Pra, pa pasur njohuri të mira dhe shumë të mira për ndeshjet, nuk mund të konkludojmë për nivelin e futbollit të klubeve dhe sidomos të ekipeve kombëtare, nga moshat e vogla, deri tek të rriturit. Po kështu, pa këto analiza nuk mund të normojmë e modelojmë stërvitjen dhe futbollistët. Kjo do të thotë se analiza, qoftë shkakore lineare, të bën të vetëdijshëm për nivelin e ekipit në përgjithësi dhe të futbollistëve në veçanti. Ja pse duhet që FSHF-ja të ndërhyjë në kohë për të programuar e planizuar ekspertizat në futboll. Kjo është kaq evidente, sa çdo sportdashës nuk po kupton se përse ky apo ai futbollist ka këtë apo atë nivel. Thuhet e thuhet për cilësinë e futbollistëve në kampionatin tonë kombëtar, por asnjëherë nuk vihen pikat mbi “i” për papajtueshmërinë midis konkluzioneve të trajnerëve tanë me ata të huaj në drejtim të aftësive të futbollistëve. Është koha që duhet pranuar nga të gjithë se trajnerët tanë e kanë mjaft të vështirë të realizojnë me produktivitet, qoftë mesatar, stërvitjet komplekse. Po kështu, është me vend të pranohet se lidhshmëria e stërvitjeve fiziko‑teknike, fiziko taktike dhe tekniko-taktike, as që njihet nga praktika jonë stërvitore. Njëherësh, mund të konkludojmë se normimet dhe modelimet në futbollin europian dhe jo vetëm po ecin me ritme të papara dhe se, pa njohur këto lidhshmëri thelbësore, nuk mund të ballafaqohemi me trajningun europian. Mjafton të kujtojmë se reformimi pothuajse total në futbollin gjerman ka nisur këtë 10 vjeçar, ndërsa në Itali po mendohet të dilet me një plan konkret, i cili të lidhë më së pari të gjithë faktorët kombëtarë të organizimit dhe të dijeve. Pra, futbolli i përparuar dhe shumë i përparuar europian, dhe jo vetëm, po mendon për reforma institucionale dhe administrim të meritokracisë, të cilat janë të domosdoshme për t’i rezistuar kohës. Kjo do të thotë se e ardhmja e futbollit është e lidhur si me gjetjet e demokracisë, ashtu dhe me atë të meritokracisë.
Dikur kam shkruar se FSHF-ja, ose është e paqartë për rëndësinë e këtyre reformave, ose me qëllim lejon dukurinë e korrupsionit, që më pas të ketë në dorë paprekshmërinë e posteve, ose të dyja bashkë. Edhe sot mendoj se FSHF-ja duhet ta analizojë këtë gjendje dhe të dalë në konkluzione përkatëse. Pra, parimet e mendimit dhe realizmit futbollistik janë të bazuara në ato të filozofisë së Realizmit Hipotetik, të cilat të detyrojnë të drejtosh institucionin më të lartë të futbollit duke u bazuar në normat dhe kriteret e demokracisë dhe meritokracisë. Pa një ndërthurje të mirë dhe shumë të mirë të këtyre gjetjeve të doktrinës Laissez Fair, nuk mund të ecim me ritmet e kohës. Pra, futbolli ka nevojë për njerëz të ditur dhe sot këta individë të ditur janë mjaft të paktë. Këtë shterpësi analizash dhe idesh e favorizon struktura qendrore e futbollit, e cila shumë pak ka bërë për këtë qëllim. Nëse kurset e kualifikimit kanë njohur arritje, hera-herës edhe të mira, analizat shkakore janë të pacekura dhe, me sa duket, do të mungojnë për një kohë relativisht të gjatë.
Studimet, ekspertizat dhe analizat e veprimeve
Fillimisht duhet sqaruar se analizat me shkakësi lineare janë parësore për të dalë në konkluzione pjesore, që më pas analiza të kapë aspektin e ndërthurur, si të vetmet, falë të cilave mund t’i përafërsohemi të vërtetës së qenësishme. Në vazhdim duhet thënë se analiza shkakore lineare kap një gamë të gjerë elementesh, ndër të cilat janë: Analiza e veprimeve fizike gjatë një ndeshjeje, si e dhëna kryesore që të shpie në konkluzione të sakta në drejtim të normimit të procesit stërvitor nga mikrocikli deri në makrocikël; Analiza e veprimeve numerike teknike, e cila të jep të dhëna të sakta në drejtim të interpretimit të një apo disa ndeshjeve futbolli; Analiza e veprimeve taktike, e cila është e lidhur si me konfigurime biomekanike, ashtu dhe me filozofinë e trajningut. Pra, kjo analizë është e ndërvarur me dijen dhe konceptet e trajnerëve, ose e thënë ndryshe, kjo analizë vlerëson në përgjithësi nivelin konceptual dhe të realizmit të trajnerëve; Analiza e rendimentit në përgjithësi dhe atij mekanik në veçanti. Kjo analizë është e lidhur si me efektivitetin e veprimeve tekniko‑taktike gjatë lojës, ashtu dhe me lidhshmërinë e treguesve dhe aftësive të futbollistëve të shprehur në kushtet e stërvitjes dhe në kushtet e garës, apo ndeshjes. Kjo analizë bëhet vetëm me shkakësi të ndërthurur, por në vendin tonë asnjëherë nuk është tentuar të bëhet. Pra, analiza e rendimentit është pronë e strukturave meritokratike të FSHF-së, të cilat ende nuk janë të plota për të zhvilluar fillimisht studime dhe më pas analiza multidimensionale.
Si përfundim, FSHF-ja është e domosdoshme që të kthejë sytë nga ndërtimi i strukturave meritokratike, si të vetmet që mund e duhet të bëjnë sa më realiste si vlerësimin e nivelit futbollistik, ashtu dhe pikasjen dhe mbarëvajtjen e talenteve në futboll. Kjo metodologji pune do të ulë pak “autoritetin” e drejtuesve të FSHF-së, por, nga ana tjetër, do të rrisë cilësinë futbollistike. Ai që interesohet për cilësinë futbollistike duhet të pranojë përparësinë vendimmarrëse të strukturave meritokratike. Ai që mendon për privilegje dhe përfitime personale, ka nevojë të qëndrojë në stanjacion dhe pritmëria dihet se ku të shpie…