Sot dhe nesër luhen 1/8-t e finaleve. Bavarezët ndeshen me rivalin që mposhtën në kampionatBajerni i Mynihut do të ketë një kundërshtar të njohur, në 1/8-t e finaleve të Kupës së Gjermanisë, teksa do të përballet me Ejntrahtin e Frankfurtit. Dy skuadrat u ndeshën të shtunën e kaluar, për javën e dhjetë të Bundesligës, dhe Bajerni fitoi 2-1 duke u ngjitur në vendin e katërt të klasifikimit.
Kjo fitore i ngre moralin skuadrës së drejtuar nga Luis Van Gal, e cila do të synojë të përsëritet nesër, për të arritur në çerekfinalet e Kupës. Menaxheri i përgjithshëm i bavarezëve, Uli Hënes, tha: “Unë shpresoj se me fitoren ndaj Frankfurtit në kampionat t’i kemi dhënë fund periudhës me probleme. Këtë mund ta konfirmojmë me një tjetër fitore ndaj tyre.
Duam të arrijmë në finalen e Kupës, në Berlin, dhe Frankfurti është një pengesë, që duhet kaluar me çdo kusht.” Hamburgu dhe Leverkuseni, skuadrat që kryesojnë me pikë të barabarta kampionatin gjerman, janë eliminuar nga Kupa e Gjermanisë dhe Verder Bremeni i vendit të tretë synon të përfitojë nga mungesa e tyre për të arritur në finale, si në sezonin e kaluar ku mposhti Hamburgun.
Ekipi i Tomas Shafit fitoi 4-1 ndaj Bokumit, të dielën, duke arritur rezultatin e 15-të pozitiv radhazi. Nesër, përballë Verderit do të jetë Kaizerslauterni, ekipi që eliminoi Leverkusenin në raundin e kaluar dhe që kryeson kategorinë e dytë.
Gjithashtu, Shalke do të ketë një kundërshtar nga kategoria e dytë, Mynih 1860, ndërsa sulmuesi i Volfsburgut, Vedad Ibiseviç, pret një sfidë të vështirë ndaj Koblencit, pavarësisht se kjo skuadër renditet në vendet e fundit të Bundesliga 2. “Ata nuk kanë asgjë për të humbur, ndërsa ne duhet të bëjmë gjithçka për të fituar. Nuk do të jetë e lehtë,” - tha ai. Ndeshjet e para për 1/8-t e finaleve do të luhen sot. Shtutgarti shkon në Furth, Këlni luan në Trier, Dortmundi në Osnabruk, ndërsa Augsburgu pret Duizburgun.