JUVELIVE

27 tetor 2009

Besa humbet shansin për kreun, vetëm 0-0 me Apoloninë

Hapi fals i Dinamos një ditë më parë, teksa barazoi 1-1 me Skënderbeun vendas, nuk është shfrytëzuar dot nga ndjekësja e saj më e afërt, Besa e Kavajës.Meritë për këtë ka Apolonia e Fierit, e cila i ka frenuar verdhezinjtë e Shpëtim Duros, brenda në shtëpinë e tyre, me një barazim të bardhë 0-0. Në këtë mënyrë, kreu nuk ka ndryshuar asgjë, sepse renditja e tre vendeve të para është ruajtur si javën e shkuar; Dinamo e para, Besa e dyta dhe Apolonia e treta. Falë barazimeve të arritura në javën e 8-të të kampionatit, të tria këto skuadra kanë shtuar edhe nga një pikë në kuotën e tyre të përgjithshme. Në një terren shumë të keq, si pasojë e fushës që lë shumë për të dëshiruar në stadiumin “Besa”, të dyja skuadrat ishin të vendosura mirë dhe nuk lëshonin pe. Më kërkuese në aksionet sulmuese ishte Besa, por që nuk kishte shkëlqimin e duhur në vijën e parë, ku Daniel Xhafa ishte larg rrezikshmërisë së kërkuar.
Nga ana e saj, Apolonia mbështetet tek kundërsulmi, me anë të Haxhibuliç dhe Bërkic. Në prapavijë, fierakët udhëhiqen mjaft mirë nga Shoshi, duke i mbajtur larg portës së Haxhos lojtarët kundërshtarë. Pjesa e parë përfundon në barazim 0-0, çka të bënte të mendosh se në 45 minutat e dyta loja do të ishte më e hapur dhe me më shumë përpjekje për të gjetur rrugën e rrjetës.
Veçanërisht nga vendasit, sepse miqtë dukeshin se kishin ardhur në Kavajë edhe për një pikë. Në këtë logjikë, Besa i intensifikon sulmet drejt portës fierake, por vazhdon të vuajë në finalizim. Daniel Xhafa vazhdon të jetë në një ditë të errët, kështu që trajneri Duro bën lëvizjen e detyrueshme, duke hedhur në fushë edhe një tjetër sulmues, talentin Çikalleshi.
Ky i fundit krijon më shumë rrezik në portën fierake, por jo të shkojë deri aty, sa të kalojë Besën e tij në epërsi. Në një situatë të tillë, kur verdhezinjtë hidhen me forca të shumta drejt portës së Haxhos, Apolonia del në lojën e saj, duke kundërsulmuar rrezikshëm. Madje, në fundin e ndeshjes, sulmuesi shkodran Kaçi, i futur në pjesën e dytë në lojë, me anë të një gjuajtjeje të fuqishme, për pak sa nuk e ndëshkon Besën.
U desh një pritje e shkëlqyer e Shehit, që porta e tij të mbetej e paprekur dhe Besa të mjaftohej me një pikë. Pikë e cila ka kënaqur më shumë fierakët, që vijojnë të demonstrojnë një formë të kënaqshme sportive dhe rezultative, ndërsa Besa nuk ishte në gjendje të shfrytëzonte momentin që iu paraqit, të barazonte me pikë Dinamon kryesuese, e cila, një ditë më parë ishte ndalur në Korçë nga Skënderbeu.