Premier Liga angleze, këto pak vitet e fundit ka pasur një mbizotërim, mes ligave të tjera më të mira në Europë, sa i takon organikës së skuadrave të saj, parave dhe sukseseve. Kjo ka bërë që shumë ta quajnë atë ligën më të mirë në Europë. Pa dyshim suksesi i “katërshes më të mirë” të saj, në stadet e fundit të Ligës së Kampionëve, në katër vitet e fundit, të bën të mendosh pikërisht këtë gjë. Të mos harrojmë që fituesi i “Topit të Artë”, “Futbollisti më i mirë Europian i vitit 2008″ dhe “Futbollisti më i mirë, FIFA, i vitit 2008″ erdhi nga Premier Liga angleze. Por, që nga vera e këtij viti dhe në fillim të sezoneve përkatëse, ngjan se balanca po zhvendoset nga Spanja dhe “La Liga”. Fillesa ishte transferimi rekord botëror i Ronaldos nga Man. Junajtid te Real Madridi. Për Premier Ligën, humbja e Kristiano Ronaldos cek të pazëvendësueshmen dhe kjo drejt Spanjës. Në kohën që Tierri Henri u largua nga Arsenali tek Barcelona, vërtetë ishte humbje e madhe, por ai nuk e përndezi “La Liga”-n, siç bënte në “Highbury”, sikurse sezoni i tij i fundit me Arsenalin ishte mbushur me dëmtime dhe jo më i miri i tij për “Topçinjtë”. Ronaldo, nga ana tjetër, rinisi atje ku e kishte lënë me Man. Junajtid, duke tmerruar mbrojtjet kundërshtare dhe, çka është më e rëndësishmja, duke shënuar pareshtur. Paraardhësi i tij në dy çmimet e sipërpërmendura për vitin 2007, Kaka, po kështu, po luan në Spanjë, pasi refuzoi një transferim në Angli. Sivjet, favoriti kryesor për t’i fituar të dyja është Leo Mesi, po kështu në Spanjë. Kjo do të bënte që tre fitues të dyfishtëm në tri vite rradhazi, pra tre më të mirët në botë, të jenë në “La Liga”. Atje nuk luajnë vetëm këto: Spanja ka edhe kryegolashënuesin e “Euro 2008″, David Viljan, dhe talente të rinj shpërthyes, si argjentinasi i Atletiko Madridit, Serxhio Aguerro. Nuk ka dyshim se ende, disa prej futbollistëve më të mirë në botë, luajnë në Premier Ligë, veçanërisht tek “katërshja e madhe”. Pyetja do të ishte ama: A janë po kaq të forta sa Reali dhe Barcelona, edhe Man.Junajtid, Çelsi apo edhe Arsenali me Liverpulin? Fuqia blerëse e Real Madridit, e dëshmuar kaq shpesh, është e pabesueshme, duke bërë që veprimtaria e tyre e blerjeve këtë verë të mos ketë rivalë. Ronaldo, prej kohësh, ishte drejtuar për në Madrid; këtë e dinte ai, e dinin futbollistët e Man. Junajtid, e dinin edhe tifozët e tyre. Çështja ishte sa shumë do të paguante Reali për të rrëmbyer një thesar nga “Old Traford”‑i. Siç doli në praktikë, paratë nuk paraqitën asnjë problem. Një shembull se sa dhe si paratë janë një faktor është Karim Benzema dhe kalimi i tij nga Lioni te Reali. Nuk është sekret se vetë Sër Aleksi e pëlqente pa masë francezin e ri, të talentuar, por Man. Junajtid thjesht mbeti pas nga fuqia e parasë së Realit: klubi spanjoll ishte i gatshëm të ofronte paketën e plotë të shpenzimeve: kartonin e tij dhe pagën. Reali ka mundësi të pafund shpenzimesh, kjo edhe falë një huaje të pafund, pavarësisht se mbetet e debatueshme nëse ato do të mund të përballin një shpenzim të tillë. Barcelona nuk ka këtë fuqi blerëse, si Reali: blerja e Zllatan Ibrahimoviçit u bashkëfinancua nga shitja e Etosë tek Interi dhe bazuar edhe nga përfitimet nga Liga e Kampionëve në vitin e kaluar.Nga ana tjetër, rregullat e ndryshme për të dy ligat, sa i takon pronësisë së një klubi, bëjnë që në Premier Ligë të qarkullojnë më shumë para, duke veçuar se blerja e disa klubeve nga pasanikë të huaj ka para likuide në këtë ligë. Kjo pritet që potencialisht të bëjë që të mos jenë më vetëm katër klube që mbizotërojnë futbollin anglez, duke përvijuar edhe një potencial tjetër. Po kështu, duhet thënë se tërheqja që ushtrojnë emrat Real dhe Barcelona është në themel të asaj që shumë futbollistë kërkojnë transferimin në këto klube. Vetëm një klub në botë do të mund ta shkëpuste Kristiano Ronladon nga “kthetrat” e Sër Aleks Fergusonit. Emrat e Realit dhe Barçës, tifozëria e tyre e pashoqe, substanca historike, traditat e tyre prej një jete kanë bërë që të ushtrojnë një tërheqje të fortë për futbollistët më të mirë në botë. Për një futbollist kaq të përqendruar në synimet e tij, për t’u bërë më i miri në botë, në të gjitha kohërat’ dhe për t’u kujtuar si i tillë, K.Ronaldo duhet të kalonte tek Real Madridi, për të provuar se këtë do ta bënte atje. Për Kakanë, Reali ishte i vetmi klub që do ta shtynte të linte Milanin e tij të dashur, po për të njëjtat arsye si Ronaldo.
Përveç domethënies së historisë së dy klubeve më të suksesshëm të Spanjës, sot e kësaj dite është fakt mendësia që mbizotëron në lojën e tyre, duke e rritur tërheqjen e tyre për futbollistët, por edhe tifozët e “La Liga”-s. Nuk ndodh gjetiu të fitosh titull kampioni në vend dhe të largohesh, nëse kjo nuk përcillet me lojë model. Kjo ndan historinë me realitetin e përditshëm. Kështu, sipas raportimeve, kur dështoi transferimi i David Viljas nga Valencia tek Barça, ai ishte i pangushëllueshëm. Pa dyshim historia e klubeve angleze, si Man. Junajtid apo Liverpuli i tërheq futbollistët nga e gjithë bota, sikurse edhe volia për të luajtur në Londër për Arsenalin apo Çelsin. Ama, siç ka treguar historia, kur Barça apo Reali joshin këta futbollistë, klubet angleze janë pa shumë alternattiva: veçse të kapitalizojnë shitjet e tyre. Në të vërtetë ne u përqendruam vetëm në dy skuadra të “La Liga”-s, ku luajnë 20 të tilla, siç bëhet gjithnjë kur flet për futbollin spanjoll. Forca e një lige ama mund të bazohet në një sërë faktorësh, si forca e skuadrave që lujanë atje, konkurrenca e saj, përbërja e futbollistëve që luajnë atje, baza kolektive e tifozëve dhe prformancat e skuadrave më të mira të saj në Ligën e Kampionëve, në një hark kohor të përcaktuar. Për katër sezonet e kaluara, shumica e këtyrë faktorëve ka qenë në të mirë të Premier Ligës angleze. Tani, me gjasa, me futbollistët më të mirë të botës në “La Liga”, me tërheqjen e saj më të madhe se kurrë më parë, anglezët do të përballen me konkurrencë të nirëfilltë për emërtimin e ligës më të mirë në Europë. Sidoqoftë, mbizotërimi kolektiv i skuadrave angleze në stadin europian ka qenë faktori vendimtar në sezonet e shkuara për ta quajtur më të mirën në Europë; aktualisht me gjithë shkëlqimin e “La Liga”-s, Liga e Kampionëve 2010 do të jetë kyçi në përcaktimin e ligës më të mirë edhe për një vit tjetër.
Të gjithë sytë do të jenë përqendruar në Madrid, pra nëse organika dhe shpenzimet e pamata do të përkthehen në trofe, skurse në atë që, a do të mbetet Barsa skuadra për t’u mundur? Pavarësisht se Man. Junajtid dhe Liverpuli ngjajnë të dobësuar, përsëri skuadrat angleze, përfshi edhe Çelsin me Arsenalin, ato më e pakta do të shtrojnë sfida të vështira për mbizotërimin spanjoll. Në rrafshin e përfaqësueseve, pa dyshim Spanja do të jetë një prej skuadrave për t’u mundur, si kampione e Europës, por sfida e paraqitur nga Anglia e Kapelos do të jetë tejet e vështirë për ta. Në përfundim mbetet të presim, se cila ligë do të prodhojë fituesen e Ligës ë Kampionëve këtë vit dhe se si do të ecin përfaqësueset e tyre në Botërorin 2010, për të përcaktuar teorikisht ligën më të mirë edhe për një sezon tjetër.