Edhe pse në moshë të shtyrë, Fatmir Vata do të mbetet edhe më tej pjesë e futbollit aktiv. Sulmuesi 37-vjeçar ka vendosur të luajë edhe për një vit në futbollin gjerman.
Vata karrierën do ta vazhdojë në Ligën e tretë gjermane, pasi ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me skuadrën që garon në këtë ligë, Wuppertaler SV, përkatësisht deri në verën e vitit 2010.
Lajmin e ka konfirmuar edhe ueb faqja zyrtare e klubit, wuppertalersv.com , për të cilin Fatmir Vata ka deklaruar se është i lumtur që ka nënshkruar kontratë me skuadrën nga Bielefeldi.
“Kam pasur një bisedë të mirë me trajnerin Uwe Fuchs. Ne arritëm marrëveshje dhe jam i lumtur që do të luaj për Wuppertalerin. Më vjen mirë që do të jetoj edhe më tej këtu në Bielefeld”, ka theksuar Vata, i cili në të kaluarën pati luajtur edhe për Armenia Bielefeldin.
Me transferimin e ish-kapitenit të përfaqësueses së Shqipërisë janë të kënaqur edhe zyrtarët e klubit gjerman. Presidenti i Wuppertalerit, Friedhelm Runge ka thënë se Vata është futbollist ideal për skuadrën e tij.
“Vazhdimisht kam thënë se nuk kemi nevojë për sulmues tjetër, por për një futbollist i cili asiston. Vata është ai lojtar çfarë ne e kërkonim. Ai do t’i japë impulse ekipit dhe do të jetë shef në fushën e blertë. Të gjitha gjërat tani ekipi i ka”, tha Runge.
Ndërkaq, trajneri i skuadrës, Uwe Fuchs, ka treguar se Vata do të jetë një partner i rëndësishëm për të si trajner.
“Unë dhe Fatmir Vata njihemi qysh moti – nga koha jonë në Bielefeld, ku edhe jetojmë që të dy. Ai është njeri i çmendur pas futbollit. Për të në rend të parë është futbolli, e jo paratë. Ardhja e tij do të na ndihmojë. Vata do të jetë partner i rëndësishëm për mua si trajner, por edhe për futbollistët e ekipit”, ka pohuar Fuchs.
Fatmir Vata së fundi luajti me Koblenzin, me të cilin klub i skadoi kontrata në qershor të këtij viti.