JUVELIVE

29 gusht 2009

Shumë zor

Të enjten në Monaco është hedhur shorti për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Në këtë fazë të grupeve do të luajnë edhe dy shqiptarët e vetëm – Adrian Nikçi dhe Admir Mehmedi - të cilët do t’i mbrojnë ngjyrat e skuadrës zvicerane, Zurich.

Skuadra e dyshes kosovare, Zurich, në fazën e grupeve do të ketë punë të vështirë, pasi për kundërshtarë do ta ketë Milanin, Real Madridin dhe Olympique Marseille dhe do të garojë në Grupin C.

Mesfushori kosovar i Zurichut, Adrian Nikçi ndihet i lumtur që skuadra e tij është në mesin e 32 skuadrave më të mira evropiane. Ai tha se kishte pritur që ekipi tij do të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

“Kur erdha para një viti këtu, nuk e kam paramenduar se do të kualifikoheshim. Por, gjatë eliminatoreve kam besuar se do të kualifikohemi, sepse kemi qenë skuadra më e mirë. Tani po ndjehem shumë mirë, sepse është një e arritur e madhe për mua dhe për ekipin”, deklaroi Adrian Nikçi për Express.

Ai synon që të arrijë formë të mirë në ndeshjet kampionale të Zvicrës, me qëllim që trajneri i skuadrës t’i besojë kosovarit minutazh sa më të madh në ndeshjet e Ligës së Kampionëve. “Tani duhet të përgatitemi sa më mirë. Më duhet të tregoj lojëra të mira në kampionatin zviceran, që të bindet trajneri me vlerat e mia. Atëherë ai sigurisht se do të më inkuadrojë edhe në ndeshjet e Ligës së Kampionëve”, pohoi Nikçi.

Edhe futbollisti tjetër kosovar i Zurichut, Admir Mehmedi, është shprehur i lumtur që ekipi i tij është kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Ai tha se për klubin zviceran kjo është një arritje e madhe, e veçmas për veten e tij.

“Shumë mirë po ndihem pasi u kualifikuam. Kemi festuar pasi siguruam kualifikimin. Unë gjatë gjithë kohës festoja me Adrian Nikçin, sepse jemi dy shqiptarët e vetëm që luajmë në Zurich. Ky është një sukses i madh për ne të dy, të cilin e kemi arritur, sepse me moshë jemi të rinj dhe do të luajmë në Ligën e Kampionëve. Po ashtu ky është sukses edhe për klubin”, tha Mehmedi për Express.

Ai është i vetëdijshëm se skuadra e tij do të përballet me skuadra të famshme evropiane në fazën e grupeve. Megjithatë, Mehmedi thotë se ekipi i tij nuk do të dorëzohet, por medoemos do të kërkojë fitore.

“Tani duhet të përgatitemi për ndeshjet grupore. Do të jetë vështirë për ne t’i kalojmë garat nga faza e grupeve, sepse do të luajnë aty ekipe të mëdha. Por nuk do të dorëzohemi, do të kërkojmë edhe fitore”, shtoi ai.

Madje, sulmuesi 18-vjeçar synon të bëjë ‘bum’ në garën më atraktive evropiane. Mehmedi synon të shënojë gol.

“Shpresoj të luaj sa më shumë në ndeshjet e fazës së grupeve, por kjo varet nga trajneri. Unë do të mundohem që të shënoj gol, edhe nëse më bie të luaj pak minuta, sepse nëse shënon gol në Ligën e Kampionëve, bie në sy dhe të kërkon ndonjë klub i madh, sepse me moshë jam i ri”, theksoi Mehmedi.

Zurich para se të mbërrinte në fazën e grupeve, arriti ta eliminojë FK Ventspils