JUVELIVE
▼
21 korrik 2009
Zenga drejtuesve të Palermos: Po më shitët Ujkanin, do filloj të qaj
Samir Ujkani është fare pranë largimit nga Palermo: transferimi i portierit shqiptar në formë huazimi te Novara në Lega Pro (ish-Seria C1) duket çështje orësh. "Shtegtimi" për një sezon do të bëhet pas kërkesës së vetë portierit, i cili kërkon një skuadër që i siguron më shumë hapësira, pavarësisht nivelit. Edhe pse nuk do të jetë zëvendësuesi i Amelias te sicilianët, kjo nuk do të thotë se 21-vjeçari shqiptar nuk vlerësohet. Drejtori sportiv i klubit të Serisë A, Valter Sabatini, shpjegoi situatën e Ujkanit: "Sirigu do të jetë portieri i dytë. Për sa i takon Samirit, që në sezonin e kaluar ishte zëvendësuesi i Amelias, mund të them se ai e meritonte që t‘ia plotësonim dëshirën. Na kërkoi të transferohej në një skuadër, ku do të kishte mundësi të luante". Njeriu që merret me lojtarët dhe merkaton te Palermo zbuloi edhe një detaj mjaft interesant. "Përveçse një djalë shumë i mirë, shqiptari është një kampion i vërtetë. Një profil moral si të tijin nuk mbaj mend ta ketë pasur ndonjë futbollist tjetër. Zenga më ka thënë se ‘nëse më shet Ujkanin, do të filloj të qaj‘. Megjithatë, duhet të merrnim në konsideratë edhe vullnetin e lojtarit, i cili kërkoi të fitonte eksperiencë. Mendoj se do t‘ia plotësojmë dëshirën. Sipas gjasave do të transferohet te Novara, së bashku me Kosentinon, por marrëveshja ende nuk ka përfunduar".Më tej, Sabatini konfirmoi edhe interesin për shërbimet e shqiptaro-maqedonasit, Blerim Xhemaili. Palermo dhe Torino kanë filluar negociatat, ndërsa për mesfushorin me pasaportë zvicerane konkurrenca është e fortë. "Është një lojtar që na pëlqen. Do të ishte diçka e mirë nëse do të afrohej, pasi në këtë mënyrë lojtarët do të kenë mundësi të pushojnë më shumë. Këtë vit skuadra është më e fortë dhe brenda kontingjentit ekziston më shumë rivalitet për një vend titullari", tha drejtuesi zirozë. "Me një përforcim si Xhemaili konkurrenca rritet dhe do të bëjë që skuadra të mos lëshojë në asnjë ndeshje, ashtu si ndodhi një sezon më parë. Kampionatin e kaluar e mbyllëm me 57 pikë të grumbulluara dhe me një nivel të kënaqshëm loje, por realisht mund të them sa Palermos i mungoi hopi cilësor".