JUVELIVE
▼
21 korrik 2009
Tirana, gati për surprizën në Oslo
Barazimi në ndeshjen e parë në Tiranë e ka lënë të hapur mundësinë për kualifikim, por fakti që Stabaek luan në shtëpi, e transformon atë në një favorit në këtë sfidë. Në favor të vendasve do të ishte edhe një barazim 0-0. Prandaj bardhebluve do t‘u duhet minimalisht të arrijnë një barazim 1-1 për ta kaluar ndeshjen në kohët shtesë deri në penallti. Në rast të një barazimi 2-2, kualifikohen djemtë e Lonçareviç, të cilët një biletë të sigurt për në turin tjetër të Champions League do ta siguronin me një çfarëdolloj fitoreje. Trajneri i bardhebluve, Ilia Loncareviç, kërkon të befasojë kundërshtarin me zgjedhjet e tij taktike dhe me shumë gjasa Tirana do të luajë me tre mbrojtës, pesë mesfushorë dhe një sulmues të vetëm përpara, Daniel Xhafën. Shqiptarët besojnë shumë tek aftësitë më të mira teknike se sa kundërshtari dhe këtë fakt shpresojnë ta shfrytëzojnë për të rrëmbyer kualifikimin në shtëpinë e norvegjezëve. "Nuk i kemi humbur shpresat, edhe pse ata janë favoritë, thotë sulmuesi Daniel Xhafa. Do të bëjmë lojën tonë dhe do të synojmë të shënojmë të parët e më pas të mbrohemi". Ndërkohë, në kampin norvegjez shikohet si avantazh zhvillimi i ndeshjes në një fushë me bar sintetik. Sulmuesi Daniel Nannskog e shikon këtë fakt si një avantazh të vogël të skuadrës së tij. "Ishim pak nervozë në takimin e parë në Tiranë. Por në ndeshjen e kthimit do të luajmë me një ritëm të lartë dhe do t‘i shokojmë kundërshtarët. Do të hidhemi në sulm që në fillim në kërkim të rezultatit. Kundërshtarët janë teknikë dhe e qarkullojnë mirë topin, por unë mendoj se bari këtu mund të jetë një avantazh për ne. Ata nuk janë mësuar me bar artificial, kështu që ne duhet të japim maksimumin dhe të sulmojmë që nga minuta e parë e deri në fund", shprehet Nannskog. "Mendoj se bari artificial është një minus i madh për ta", shprehet edhe Kristian Keller. Shumë njerëz nuk e kuptojnë dallimin mes barit normal dhe barit sintetik, por është vërtet e ndryshme. Tirana do ta ketë të vështirë të ambientohet, kështu që kjo do të na japë neve një përparësi të madhe", shprehet futbollisti danez Kasimpasa. Trajneri Jan Jonsson zbulon se për ndeshjen e sotme ndaj bardheblu ka përgatitur një Stabaek shumë agresiv në kërkim të rezultatit. "Sulmi do të jetë arma jonë. Jemi një skuadër që ka demonstruar se di të shënojë, por tani jemi edhe më të fortë, sepse është rikthyer në ekip edhe sulmuesi Daniel Nannskog. Shpresoj se sot së bashku me Berglund do të japin maksimumin", nënvizon trajneri i Stabaekut, i cili këtë herë do të hedhë në fushë një skuadër të vendosur 4-4-2 me Berglung dhe Nannskog në sulm. Norvegjezët shikohen si favoritë të padiskutueshëm edhe nga shoqëritë e basteve, që japin kuotën 1,25 për fitoren e Stabaekut dhe 9,5 për atë të Tiranës. Skuadra që do të kualifikohet nga sfida e sotme mes këtyre dy skuadrave, në turin tjetër, me shumë gjasa do të ndeshjet me FC Kopenhagen, të cilët ndeshjen e parë ndaj malazezët e Mogren e kanë fituar me rezultatin 6-0.