04 korrik 2009

Vëllaznimi kalon krizën

Skuadra e Vëllaznimit në sezonin e ri - që fillon në muajin gusht- garat do t’i zhvillojë e qetë, pasi të premten ka tejkaluar krizën financiare.Shumë afaristë gjakovarë, bashkë me Kuvendin Komunal të Gjakovës, kanë marrë përgjegjësinë që për një vit bashkërisht ta financojnë klubin kuq e zi. Lajmin e ka konfirmuar kryetari aktual i klubit, Agim Koci.“Të premten zyrtarët komunalë bashkë me afaristët gjakovarë kemi mbajtur një mbledhje për klubin. Në këtë mbledhje kemi vendosur që për një vit Kuvendi Komunal bashkë me biznesmenët gjakovarë t’i mbulojmë të gjitha shpenzimet e klubit. Pra, 50 për qind të shpenzimeve do t’i mbulojë Komuna, kurse 50 përqindëshin tjetër biznesmenët”, deklaroi Koci për Express.Ai ka njoftuar se pas kësaj marrëveshjeje me biznesmenët gjakovarë, menjëherë kanë filluar përgatitjet për mbajtjen e kuvendit të klubit, kur pritet të zgjidhet kryesia e re. “E kam udhëzuar sekretarin Blerim Vulën për ta organizuar kuvendin e klubit, për ta formuar një kryesi të re. Kjo pritet të ndodhë brenda pak ditëve. Ne po ashtu shumë shpejt pritet t’i vazhdojmë kontratat me futbollistët aktualë. Madje tashmë kemi arritur marrëveshje me Fisnik Papuqin, Kushtrim Mushicën dhe Robert Gjerajn. Brenda dy ditëve pritet t’i vazhdojmë kontratat edhe me lojtarët e tjerë”, theksoi Koci. Ai ka paralajmëruar se Vëllaznimi do të përforcohet edhe me futbollistë të tjerë dhe në sezonin e ri, kuqezinjtë synojnë ta fitojnë titullin e kampionit. “Pasi u zgjodh problemi që e preokuponte klubin, ne tani do të mendojmë edhe për përforcime. Kështu në kampionatin e ri Vëllaznimi do të luftojë për titullin e kampionit”, theksoi Koci.Ai ka thënë se Kuvendi Komunal i Gjakovës nuk do ta lërë me kaq angazhimin mbi Vëllaznimin. Sipas tij, Komuna është e përkushtuar në gjetjen e një donatori të fuqishëm për këtë klub, i cili do të ishte i gatshëm ta merrte përgjegjësin ndaj Vëllaznimit për afat më të gjatë.