04 korrik 2009

S’jam për trajner

Leonardo ka pranuar se ndihet më i kualifikuar të punojë në role administrative dhe se detyra e trajnerit në Milan është vetëm fazë transitore në karrierën e rij. Leonardo mori drejtimin e gjigantit milanez gjatë muajit të kaluar, pas largimit të Carlo Ancelottit i cili u emërua menaxher i Chelseas, por çuditërisht ish mesfushori brazilian ka theksuar se detyra e trajnerit nuk është diçka ku ai e sheh veten në të ardhmen. “Gjatë karrierës sime gjithmonë jam marrë me kontrata dhe kam administruar financat e mia”, tha Leonardo gjatë një interviste me revistën braziliane Veja. “Gjithmonë kam bërë investime pa ndërmjetësues dhe kam menduar të bëj këtë edhe pas pensionimit si futbollist dhe jo të bëhem trajner. Për këtë e kam njoftuar edhe presidentin e Milanit, Silvio Berlusconi dhe kam studiuar rreth menaxhmentit në Universitetin Bocconi. Mendoj se kjo detyrë e trajnerit do të jetë vetëm një fazë në karrierën time administrative”, shtoi ai. Leonardo ka pranuar se në të kaluarën kishte vuajtur nga depresioni dhe kjo bëri që ai të përfshihet në punë bamirësie. “Më kishte ndodhur gjatë aventurës së parë në Itali, isha rreth 30 vjeç. Ndihesha fajtor sepse mund të blija rroba të shtrenjta dhe ushqehesha në restorante luksoze. Në vend se të kënaqem me to, këto gjëra më lëndonin. Depresioni më solli pagjumësi dhe rrahje të shpejtë të zemrës. Kam kaluar terapi për tre muaj. Ish gruaja ime dhe prindërit më ndihmuan ta tejkaloj. Kam filluar të lexoj filozofi dhe libra të psikologjisë e pastaj kam krijuar Fundacao Gol di Letra. Shtëpia ime në Milan ishte pothuajse e zbrazët dhe nuk kishte më as kompjuter”, përfundoi ai. Fundacao Gol di Letra është fondacion i krijuar nga Leonardo dhe ish mesfushori brazilian Rai për të ndihmuar fëmijët në nevojë.