04 korrik 2009
Ronaldo: Ditët në Evropë janë histori
Sulmuesi brazilian Ronaldo, i cili ngriti Kupën e Brazilit me Corinthiansin të mërkurën, ka bërë të ditur se dëshiron të vazhdojë kontratën me klubin edhe për një vit tjetër në mënyrë që të luajë në Copa Libertadores, garë në të cilën ekipi i tij e siguroi pjesëmarrjen me triumfin e kupës. “Ideja është të vazhdoj. Kemi gjithçka që është e nevojshme për të vazhduar këtë rrugë. Jam me fat që jam pjesë e një grupi të shkëlqyeshëm që më ka mirëpritur për mrekulli. Rikthimi im në futboll ka qenë fantastik. Kurrë nuk e kam paramenduar se do të jetë kështu”, deklaroi Ronaldo. Pjesëmarrja e Corinthiansit në garën më të rëndësishme të klubeve nga Amerika Jugore i ka dhënë Ronaldos një dëshirë më të madhe të mbetet në klub, në vend se të kthehet në Evropë. Triumfi në Kupën e Brazilit ishte suksesi i dytë brenda më pak se një muaji, pasi Corinthians fitoi edhe kampionatin shtetëror Paulista, garë në të cilën nuk pësuan asnjë humbje. Ronaldo ka theksuar se nuk planifikon të kthehet në Evropë dhe është shprehur mjaft i lumtur me periudhën e deritashme të kaluar në vendlindje. “Ditët e mia në Evropë janë histori”, përfundoi ai.