04 korrik 2009
Ligji për Sponsorim, bllokohet në MEF
Më në fund Ligji për Sponsorim si duke do të jetë gati. Muaj më parë ka përfunduar në tërësi hartimi i këtij projektligjit nga komisioni i përcaktuar për krijimin e tij. Ky komision e ka dërguar projektligjin në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe të Sportit (MKRS), e cila pasi ka shqyrtuar dhe aprovuar e ka dërguar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MEF) për ta aprovuar edhe kjo e fundit. Pasi edhe MEF të japë fjalën e fundit, ky projektligj fillimisht do të shkojë për shqyrtim në mbledhjen e qeverisë dhe më pas për votim në Kuvendin e Kosovës.Mirëpo, se kur Ministria e Ekonomisë dhe e Financave do t’i kthejë një përgjigje asaj të Sportit nuk e dinë as zyrtarët e kësaj të fundit. “Ne e kemi pranuar ligjin nga komisioni i cili e ka hartuar. Ministra jonë e ka shqyrtuar dhe miratuar atë, dhe qysh para një muaji e kemi dorëzuar për shqyrtim në MEF. Pra, MKRS-ja është duke pritur që ai ligj të aprovohet nga MEF-i dhe më pas ta dërgojmë fillimisht për shqyrtim në mbledhjen e qeverisë e më pas për votim në Parlament”, ka deklaruar për Express sekretari permanent në MKRS, Sali Morina. “MEF mendoj se është vonuar të na kthejë përgjigje shkau se ka shumë ligje që presin për t’u shqyrtuar apo aprovuar. Megjithatë, ne presim që deri në fund të kësaj jave të marrim një përgjigje nga MEF-i, pasi jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka ky ligj”, shtoi ai. Sipas këtij projektligji, sponsori i cili ndihmon një klub sportiv financiarisht, atëherë ai do të lirohet pjesërisht nga tatimet shtetërore. Prandaj MEF duhet ta shqyrtojë këtë projektligj për të vërtetuar se a janë të arsyeshme lirimet tatimore ndaj sponsorit siç parasheh projektligji, gjë të cilën ende nuk e ka bërë. Në fakt, projektligji për sponsorim u pat hartuar edhe para një viti. Madje ai pati shkuar për shqyrtim deri te Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport. Ky komision e pat kthyer prapa në Ministrin e Sportit për ripunim, duke mos e futur për votim në Kuvend me arsyetim se ai projektligj nuk ofronte asnjë lehtësim për sponsoruesit dhe si i atillë nuk do të mund të stimulonte sponsorë. Mirëpo, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Eroll Belegu, i cili ka qenë pjesë e komisionit për hartimin e projektligjit, thotë se ky projektligj është dukshëm më i mirë dhe i favorshëm për sponsorët krahasuar me atë të parin. “Në dallim prej atij projektligjit të parë, i cili u pati kthyer mbrapa nga Parlamenti, projektligji i ri i hartuar është dukshëm më ndryshe. Mbi të gjitha projektligji i ri përmban lehtësime tatimore për kompanitë dhe bizneset që sponsorojnë, gjë që nuk ishte në projektligjin e parë. Po ashtu, ky projektligj është model i ligjeve të sponsorimeve sikurse në shtetet tjera të rajonit. Në hartimin e këtij ligji kanë marrë pjesë persona nga MKRS-ja, sporti, kultura, biznesi, etj, të cilët nuk kanë qenë pjesë e hartimit të projektligjit të atëhershëm”, ka thënë Erolld Belegu për Express. Belegu është shprehur i pakënaqur me procesin e ngadalshëm të këtij ligji, që sipas tij, po ndodh pa nevojë.