03 korrik 2009
Roma, bllokohet shitja e klubit
“Nuk duan që Roma të blihet nga njerëz të ndershëm”. Kjo ka qenë akuza e ashpër e bërë nga Nikola Irti, avokati i Fio Grup-it të Viniçio Fioranelit që gjatë këtyre ditëve po negocion blerjen e klubit verdhekuq. “Shpresoj të mos përsëritet epoka e Çirrapikos, - ka shtuar Irti - që disa persona, mbi të gjithë bankierët, shpresojnë që të ndodhë. Ne kemi treguar burimin e fondeve tona. Zoti Fioraneli dhe Grupi Fio Sport janë një shoqëri serioze, një nga më të rëndësishmet, që vepron në botën e futbollit. Në Romë po shikojmë diçka antifutbollistike. Transparenca në Itali nuk ka qenë asnjëherë një vlerë, por një defekt. Unë i uroj shumë fat për gjithçka është bërë familjes Sensi dhe gjithë popullit verdhekuq. Një popull që meriton një Romë të madhe. Një Romë që ne donim, duam dhe që në fund do ta bëjmë të tillë”, ka përfunduar avokati Irti.