03 korrik 2009
Pas shitjes së Benzemasë, Lioni ofron Groson plus parà
Karim Benzema është “galaktiku” i katërt i Realit të Madridit, blerja madhështore e radhës e presidentit Florentino Perez. Sulmuesi francez do të luajë sezonin e ardhshëm në stadiumin “Santiago Bernabeu” përkrah yjeve si Kristiano Ronaldo, Kakà, Raul Gonzales e Iker Kasijas. Nga kjo marrëveshje Lioni ka përfituar 35 milionë euro, por ndërkohë ka mbetur pa sulmues, pa një lojtar goli, ndonëse ideja për zëvendësimin e Benzemasë është shumë e qartë në kokën e drejtuesve francezë. Ai është sulmuesi transalpin i Juventusit, David Trezege, i cili gjithmonë i ka pëlqyer Lionit, por tani mund të jetë momenti i duhur që 31-vjeçari të rikthehet në vendlindjen e tij pas eksperiencës me Monakon. Sigurisht që marrëveshja ka baza të forta që ky transferim mund të kryhet, pasi Lioni në përbërje të saj ka një lojtar si Fabio Groso, që i intereson shumë Juventusit. Mbrojtësi italian është futbollisti i duhur për të mbuluar krahun e majtë të repartit të prapavijës, ndaj Lioni tani është i gatshëm t’u rikthehet bisedimeve me “Zonjën e Vjetër”. Media franceze gjithashtu saktëson se Lioni tashmë ka përgatitur një ofertë për bardhezinjtë italianë, për t’u shkëputur atyre David Trezegenë në këmbim të kartonit të Fabio Grosos plus një shume parash, që përflitet të jetë 8 milionë euro. Sigurisht që për Juventusin një ofertë e tillë mund të konsiderohet mëse pozitive, pasi përveçse afrojnë në skuadrën e tyre një lojtar që u shërben, përfitojnë edhe një shumë parash, që mund të investohet në merkato për përforcimin e mëtejshëm të skuadrës.