03 korrik 2009

“Me mua president, Moxhi s’do të ishte dënuar kurrë”

Mauricio Zamparini, presidenti i skuadrës së Palermos, një person që gjithmonë ka dalë kundër Luçiano Moxhit dhe taktikave të tij të drejtimit të Juventusit, pushtetit që kishte krijuar rreth klubit juventin, por njëkohësisht vlerëson aftësitë njohëse mbi futbollin të mikut të tij tashmë. “Flas me të çdo ditë dhe gjatë javës së kaluar ishim në Iskia së bashku. Nuk mendoj se një gjë e tillë përbën një krim, apo jo?! Për mendimin tim, ai po paguan më shumë se çfarë i takon ndaj drejtësinë sportive, por kjo nuk do të thotë se të flasësh për futbollin me mikun tim, Luçiano Moxhin, më bën edhe mua një të përndjekur nga gjyqësia sportive. Kur Moxhi u dënua, nëse do të më kishte pasur mua si presidentin e tij, padyshim që nuk do t’i kishte ndodhur asgjë, sepse do të kisha kërkuar deri në fund drejtësinë mbi atë skandal të shpërthyer. Për momentin, ende asgjë nuk është qartësuar dhe drejtësia sportive nuk i lejon atij të ushtrojë profesionin, - vazhdon presidenti i skuadrës së Palermos. – Në futboll nuk duhet të futet në lojë pushteti për të fituar. Fiton ai që është më i zoti, ndërkohë që Juventusi, i përmbledhur si klub, i la në dorë Moxhit të luante me pushtetin që vetë klubi torinez ka pasur gjatë gjithë historisë së futbollit italian e evropian. Nuk e kuptoj pse në shoqëri të tjera duhet të paguajë gjithmonë presidenti, ndërkohë që te Juventusi, i vetmi që pagoi ishte Luçiano Moxhi dhe jo pronari i klubit. Padyshim që humbja financiare e bardhezinjve ishte e madhe, por pavarësisht të tjerash, i akuzuari i vetëm ose shkaktari i vetëm i këtij skandali doli drejtori i përgjithshëm i klubit bardhezi. Nëse unë do të kisha qenë presidenti i Juventusit, nuk do ta kisha lejuar kurrë ngritjen e një sistemi, që i garantonte një pushtet të atillë Moxhit”. Betejat – “Të mos harrojmë se gjithmonë e kam luftuar Moxhin dhe ai kurrë nuk do të ishte bërë drejtori i skuadrës sime, Palermos. Për dhjetë vite me radhë kam denoncuar veprimet e tij dhe të Xhiraudos, për faktin e vetëm sepse sa herë përballesha me Juventusin, e kisha humbjen të garantuar. Në atë periudhë më thoshin se unë isha i pushtuar nga halucinacionet, por më pas të gjithë e panë se akuzat e mia kishin qenë të sakta. Nëse në atë periudhë Luçiano Moxhi do të kishte qenë drejtori i përgjithshëm i Palermos, nuk do të kishte bërë kurrë një gjë të tillë, por pavarësisht këtyre, gjithmonë skuadra do të kishte fituar, sepse ai është më i miri në profesionin e tij. Pushteti është i përqendruar në Torino? Keqbërësit ekzistojnë kudo, por nëse organet sportive do të kishin mbikëqyrur seriozisht kampionatin tonë, në një kohë kur zërat për trukime sa vinin e bëheshin më të forta, padyshim që gjërat do të kishim qenë më të lehta për t’u evituar. Ndonëse për ta mbyllur, dua të theksoj mbi futbollin italian që, sado i fuqishëm që të ketë qenë Luçiano Moxhi, ai kurrë nuk do të kishte mundur të drejtonte i vetëm një sistem të atillë”, përfundon Mauricio Zamparini, presidenti i Palermos.