JUVELIVE

01 korrik 2009

Moxhi drejt Bolonjës: Jam gati të rikthehem

Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, konfirmon zërat që e shohin te kuqeblutë si këshilltar
Luçiano Moxhi është gati të kthehet në botën e futbollit. Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit konfirmon zërat, që qarkullojnë ditët e fundit mbi përfshirjen e tij të mundshme në krah të ortakëve të rinj të Bolonjës. “Thjesht jam treguar i gatshëm, - tregon “Big Luçiano”, - për të punuar. Disa muaj më parë, për të ndihmuar presidenten aktuale Menarini për të gjetur ortakë të rinj për Bolonjën, mendova të përfshihesha edhe unë”.
Ish-drejtuesi i famshëm i Juventusit nga 1994 deri më 2006-ën e ka mbyllur me botën e futbollit pas skandalit të “Calciopoli”-t dhe dënimit 5-vjeçar që i është dhënë për të kryer nga Gjykata Federala e Federatës Italiane të Futbollit. “Për atë që më takon, - vazhdon më tej Moxhi, - nuk kam interes direkt për blerjen e aksioneve të klubit kuqeblu, por është e qartë se në rast të një përfshirjeje të ortakëve të rinj të kontaktuar nga unë, do të isha gati të mbuloja rolin e këshilltarit në merkato”.
Bolonja nuk e konfirmon, por as e përgënjeshtron. Nga klubi kuqeblu bëjnë të ditur që diçka më shumë do të mësohet në ditët e ardhshme. Përfshirja e mundshme e Moxhit te Bolonja nuk i ka pëlqyer ndërkohë ish-bashkiakut të Bolonjës, Xhiorxhio Guaxaloka: “Duke lexuar dje mbi ardhjen e mundshme të Luçiano Moxhit në rangjet e larta të skuadrës së Bolonjës, kam mbetur pa fjalë, - tha Guaxaloka. - Është një hipotezë që nëse do të realizohet, do ta injoronte të gjithë qytetin tonë”.
Mbi këtë argument ka ndërhyrë edhe Xhiuzepe Gaxoni Fraskara, ish-president i kuqebluve, kundërshtari historik i Moxhit. I pyetur më shumë se një herë nga prokurorët që janë marrë me çështjen “Calciopoli”, ai ka theksuar shpeshherë se ka paguar përplasjet me të me Serinë B dhe me dështimin e klubit. Në shtypin e disa gazetave lokale në Bolonjë, Gaxoni ka thënë që shpreson që Renxo Menarini “të ndryshojë ide”. Ai e cilësoi këtë gjë “të pabesueshme” dhe shtoi: “Ky qytet nuk e meriton”.
Ndërkohë tifozët janë inatosut në forumet e internetit. Mbështetësit emilianë nuk janë dakord me këtë hipotezë dhe këtë gjë e kanë manifestuar në “web”. “E urrejmë Menarinin; Moxhi, ndoshta vdes sot; Bolonja përgatit revolucionin; Anti-Moxhi militant”, janë vetëm disa nga titujt e diskutimeve të shfaqura në forumet e tifozëve, në mijëra ndërhyrje polemizuese. Ka mbetur vetëm një thënie domethënëse pa asnjë përgjigje: “Moxhi është i mirë si këshilltar merkatoje”. Tifozët e akuzojnë Moxhin për zbritjen në Serinë B në 2005-ën.
Këto ditë duhet të zhvillohet një takim mes Moxhit dhe familjes Menarini. Luçiano do të sjellë me vete të besuarin e tij Çeravolo që do të mbulonte rolin e drejtorit të përgjithshëm. Është llogjike pra që Salvatorit, drejtori sportiv në detyrë, t’i hiqen gradat. Dhe Papadopulo në vijimësi do të largohej nga stoli. Njeriu i shpëtimit nga rënia në B është i destinuar t’ia lërë vendin Antonio Kontes, i cili e ka zgjidhur marrëveshjen me Barin.