JUVELIVE

01 korrik 2009

Juve, Roma e Fiore në sulm për Andrè Santosin

Janë tri skuadrat italiane shumë të interesuara për Andrè Santosin e Korinthiasit: Juventus, Roma e Fiorentina. Në radhë të parë janë bardhezinjtë, gjithnjë në kërkim të një anësori të majtë. Lojtari ka shprehur entuziazëm përballë një transferimi të mundshëm në Torino. Pasi ka rënë pista “Dosena” dhe është akoma në vendnumëro ajo e Grosos, mund të jetë pikërisht Andrè Santosi favoriti, duke parë që kartoni i kushton 6-7 milionë euro, kur është vetëm 26 vjeç. Pak më prapa është Roma e Luçiano Spaletit, që ndjek me vëmendje zhvillimin e situatës, ndërsa në orët e fundit është përfshirë edhe Fiorentina. Klubi vjollcë duhet t’ia rinovojë kontratën Manuel Paskualit, në skadencë në 2010-ën dhe mund të shesë Vargasin te turqit e Fenerbahçesë. Pikërisht për këto motive drejtori sportiv i vjollcëve Pantaleo Korvino është vënë në kontakt me përfaqësuesin e lojtarit për të kërkuar informacione. Në harkun e dhjetë ditëve do të vendoset e ardhmja e Santosit, por Juventusi duket për momentin në epërsi nga pretendentet e tjera. Bardhezinjtë po ashtu synojnë edhe Kristian Tanasen, mesfushorin rumun të Argesit, i cilësuar në atdhe si Mutu i ri. Juvja ka kërkuar informacione për lojtarin, i cili ka tërhequr edhe vëmendjen e klubeve të tjera të huaja. “Po zhvillojmë diskutime me drejtuesit e Shahtjor Donjeckut, por për momentin s’ka gjë të sigurt. Ekzistojnë oferta të tjera nga jashtë dhe do të zgjedhim më të mirën”, - konfirmon presidenti i Argesit, Andrei Penesku. Për Tanasen, vlera e të cilit shkon në 4 milionë euro, janë edhe Fiorentina, Beshiktash e Shtutgardi.