JUVELIVE

03 korrik 2009

Ikonat e Leonardos, Tele Santana dhe Kapelo

Trajneri brazilian, i cili më 6 korrik do të fillojë aventurën në Milanelo, zbulon idhujt e së kaluarës
Sërish Itali-Brazil. Duket se kjo është jeta e tij. Jeta e Leos, natyrisht. “Trajnerë të mirë në botë ka pasur dhe padyshim shumë - ka thënë Leonardo de Araujo - por nëse duhet të zgjedh disa pika referimi për atë që dua të bëj unë në të ardhmen, them Tele Santana dhe Fabio Kapelo”. “Djalli” vesh Leon. Dhe Leo vishet me ikona. “Tele Santana? Ka ndikuar shumë në jetën dhe karrierën time, - ka vazhduar trajneri i Milanit, duke kujtuar teknikun e Brazilit në Spanjë ‘82 dhe Meksikë ‘86. - Për fat të keq tani nuk është më, por ishte shumë i kujdesshëm ndaj detajeve, skuadrat e tij luanin një futboll shumë sulmues, argëtues, të bukur, atë që ne në Brazil e quajmë ‘Futbolli Art’. Më pëlqente vizioni i tij për futbollin. Kapelo? Ai është një pikë referimi për vendosmërinë dhe agresivitetin që ka dhe që di t’ia transmetojë të tjerëve”.
MENDIME - Në Koverçiano është bërë prezantimi i vëllimit “Formimi psikologjik i trajnerit të futbollit”. Leo, natyrisht, ka qenë i pranishëm, duke mbajtur shënime. “Ky për mua është një moment ku më duhet të merrem me shumë gjëra,- ka thënë trajneri kuqezi, i regjistruar për kursin e kategorisë së dytë dhe nga tetori i ardhshëm për Masterin. - Nuk mund të mohoj se kam shumë mendime në kokë, por po jap maksimumin tim në këtë kurs, sepse e di që do të më duhet. Eshtë një kurs i vështirë, diskutimet me mësuesit janë të nevojshme dhe ndihmojnë në formimin tënd. Ka shumë çështje që shërbejnë për të vënë në provë cilësitë personale dhe për të vlerësuar çdo aspekt të futbollit, sepse futbolli ka edhe aspekte edukuese dhe soaciale”.
6 KORRIK - Aktualisht, kanë mbetur edhe tre ditë para fillimit të aventurës së re. Gjëja kryesore, krijimi i një marrëdhënie të fortë dhe respekti reciprok me lojtarët. “Marrëdhëniet krijohen me kalimin e kohës, nuk përcaktohen. Jam absolutisht i sigurt se ky nuk do të jetë një problem”. Gjithsesi, pas pak ditësh, Leo do të fillojë aventurën e tij në drejtimin e Milanit, dhe ndoshta kjo mund të jetë dhe më e vështira përsa i përket karrierës së tij. “Secili ka historinë e tij dhe mënyrën e tij të punës, - ka thënë braziliani. - Psikologjinë e kam studiuar për dy vjet dhe është e rëndësishme për të kuptuar çdo fushë të jetës. Roli i teknikut sot? Eshtë e qartë se ekzistojnë veçantitë teknike të secilit, por sot ky pozicion i ngjason më shumë atij të menaxherit”.
MESUESI - Leonardo de Araujo, ose më thjesht Leonardo, trajner i Milanit. Sot në bankat e shkollës, ku do të marrë në fund të kursit patentën e trajnerit të kategorisë së dytë, nesër në stolin e “Djallit”. Më 6 korrik në fakt është parashikuar prezantimi si trajner i Milanit, por të nesërmen e kësaj dite do të rikthehet në Koverçiano ashtu siç ka konfirmuar mësuesi i tij Romeo Beneti. “Nuk është një i privilegjuar. Eshtë pothuajse gjatë gjithë kohës në telefon, por këtu, gjatë leksioneve, një gjë e tillë është e ndaluar. Eshtë një nxënës shumë i vëmendshëm si gjithë të tjerët, po mëson shumë”, ka pohuar ish-futbollisti i Juves, Romës dhe Milanit.