JUVELIVE

21 korrik 2009

Eto-Inter, sot pritet marrëveshja finale

Branka pohon se do të takohet me menaxherin e kamerunasit, i cili duhet të përfitojë 8.5 milionë në 5 vjet
Do të mbahet sot takimi i drejtuesve të Interit me menaxherin e Etosë, që do ta çojë Ibrahimoviçin te Barcelona. Kështu u shpreh dje përgjegjësi i sektorit teknik zikaltër, Marko Branka para shtypit. Branka u shpreh edhe se është optimist për mbylljen e çështjes. Hoze Maria Mesales ka zbarkuar në Barcelonë. Menaxheri i Etosë është në Spanjë për të mbyllur kalimin dhe kërkon një dëmshpërblim për të asistuarin e tij.
Shuma prej 15 milionë eurosh nuk u mor në konsideratë nga Laporta dhe një marrëveshje mund të arrihet për rreth 5-6 milionë euro. Gjithçka mund të finalizohet sot në mbrëmje, kur Mesales të mbërrijë në Milano, për të mbyllur transferimin me Brankën e Orialin.
Krerët zikaltër duken optimistë dhe aspak të ndrojtur nga kërkesa e mundshme e një kontrate 5-vjeçare për 10 milionë euro në sezon për afrikanin. Në shtëpinë e Interit synohet të sistemohet edhe problemi i rrogave të larta, duke ulur ndjeshëm rrogën e Ibrës nga 12 milionë euro në sezon. Kamerunasi do të kënaqet ekonomikisht, por përmes çmimeve dhe bonuseve të arritura lehtësisht. Në aspektin e rrogës, nuk duhet të shkohet më shumë se 8.5 milionë euro në vit deri në 2014-ën, kur ylli nga Nkoni do të jetë 33 vjeç.
Duket se bazat e para kontraktuale janë hedhur prej ditësh. “Ibrahimoviçi do të vijë, pavarësisht nga vendimi i Etosë”, - thotë presidenti Laporta. Fjalë që në Milano i interpretuan si një ftesë për të mos tërhequr shumë “fillin” drejt Mesalesit. Por është e pamundur që Morati ta lërë të ikë suedezin pa marrë më parë “OK”-in e Etosë. E vërteta është se do të bëhet gjithçka sot sipas akordeve të marra në pesë minuta nga dy presidentët: Ibra në Spanjë për 50 milionë, Eto dhe huazimin gratis (përfshirë rrogën) të Hlebit. Një operacion “i pranuar” nga tifozët zikaltër, pasi tifozë që qajnë ikjen e Ibrës ka fare pak, edhe pse suedezi mbetet gjithsesi një nga lojtarët më të mëdhenj të epokës së Moratit.