Kapiteni bardhezi në kërkim të gjithçkaje. Titulli, Championsi, Botërori dhe rinovimi kalojnë përmes 2010-ësKapiteni nuk ka aspak ndër mend të ikë nga Juvja, madje kërkon ta rimarrë për “dore”. Si gjithnjë. Siç ndodhi në 1993-i, viti i parë i shpërthimit bardhezi. Por në 2010-ën, djaloshi që nuk dorëzohet asnjëherë, i skadon kontrata, ndaj dhe sezoni që do të nisë në fund të gushtit, ka një rëndësi të dyfishtë. Deri tani, si në traditën e viteve të fundit, nuk ka pasur asnjë takim me drejtuesit për rinovimin. Herën e shkuar, më saktë në 2007-ën, jo 100 vjet më parë, filloi të bisedohej në gusht për të arritur më pas pikën e kontaktit me kënaqësi reciproke në tetor, me nënshkrimin e çmuar. Pra, dy muaj pas “së zakonshmes”. Prandaj, ka kohë, por nuk nuk duhet humbur as kohë, sepse Aleksi është Juventusi dhe e meriton ta mbyllë karrierën me ato ngjyra, si Maldini, por pa kundërshtime si ish-kapiteni kuqezi në ditën e lamtumirës. Ëndrra e tij, prioriteti i tij është të qëndrojë e të veshë ngjyrat bardhezi përgjithnjë. Pra kontrata mund të presë. Përgatitja jo. Për këtë do të paraqitet në stërvitje i motivuar dhe buzagaz. Jo se pret favore nga trajneri Çiro Ferrara dhe nuk do të përfshihet asnjëherë në çështjet e stafit të ri. Do të vazhdojë në linjën e nisur në 2005-ën, me një përgatitës personal me të cilin do të zhvillojë punën me skuadrën. Dhe këtu kthehen stimujt e parashikuar: për një stërvitje të dyfishtë brenda ditës, duhet vendosmëria e tij e zakonshme, dëshira e tij e madhe për të konkurruar.
Në mënyrë emotive pastaj kampionati botëror në Afrikën e Jugut kërkon një përgatitje shtesë. Edhe pse deri tani trajneri “axurr” Marçelo Lipi nuk e ka grumbulluar, kjo s’duhet interpretuar si një mbyllje e plotë e derës. “Dyert janë të hapura për të gjithë, nga 18 deri në 40 vjeç”, - është motoja e trajneri kampion bote. Dhe Del Piero, që për teknikun “axurr” nuk ka sekrete, do të bëjë gjithçka, madje edhe më shumë për ta vënë në siklet në momentin e zgjedhjeve. Gjithçka do të kalojë nga Juvja dhe nga kampionati që ai do të zhvillojë me skuadrën. Të fitojë për të riveshur fanellën “axurre”. Titullin dhe Ligën e Kampioneve, sepse Del Piero niset gjithnjë për të fituar, asnjëherë nuk synon vendin e dytë. Pas vendit të tretë dhe atij të nderit, nuk i mbetet veç se të ngjitet në krye. Të fitojë me klubin, pastaj do t’i takojë Lipit zgjedhja përfundimtare. Është e qartë që çështja e rinovimit tani mund të ketë shumë kuptime. Deri tani drejtuesit kanë shfaqur siguri. “Nuk ka probleme, në momentin e duhur do të flasim”. Qetësi, që e shoqëron Del Pieron dhe vëllain e tij menaxher, Stefanon. Asnjë nxitim, asnjë shqetësim. “Pinturikioja” e ka shprehur shpeshherë dëshirën për të vazhduar aventurën. Dhe sezoni i 16-të që pritet të nisë, flet vetë. Pa harruar që në 2007-ën, kur nënshkroi për rinovimin e fundit, Del Piero tha: “Nuk do të jetë kontrata ime e fundit”. Rroga prej 5 milionë eurosh ndoshta, nuk do t’i afrohet më. Por kujdes, ta konsiderosh Del Pieron pa merkatë, është rrezik. Në Amerikë ka skuadra që kanë nisur që tani ta vëzhgojnë: Toronto dhe Red Bull Nju Jork, që për 2010-ën ëndërron edhe Tierri Henrinë.