Gjigantët e Milanit janë në gjueti për një klasë të lartë sulmuesish, në mënyrë që të përforcojnë skuadrën e tyre për sezonin e ardhshëm. Goal.com harton një listë të mundshme “firmëtarësh”. Sikurse dihet, Milani e ka humbur tashmë asetin e tij më të madh, Kakanë, që u prezantua para dy ditësh tek Real Madridi. Njeriu që mund ta kishte zëvendësuar atë, Yoann Gourcuff, duket se ka vendosur të qëndrojë në Francë. Ylli tjetër i tyre, që përmbush kriteret e një sulmuesi potent, gjë që e tregoi edhe sezonin e fundit, Aleksandër Pato, thuhet se ka vendosur t’i bashkohet Karlo Ançelotit te Chelsea. Në këto kushte, drejtuesit e Milanit janë hedhur në treg për të nënshkruar me një sulmues të klasës dhe klasit të brazilianit ndërkombëtar. Nëse Pato realizon dëshirën e tij, të kalojë te Chelsea për sezonin e ardhshëm, po shoh disa nga alternativat, me të cilat Milani mund të nënshkruajë.
1. Edin Dzeko (VfL Wolfsburg): Alternativa më e pëlqyer nga Milani, për t’iu bashkuar sulmit kuqezi këtë verë, Edin Dzeko, ka mbyllur një sezon të bujshëm në Gjermani. Me Ëolfsburgun, Dzeko shënoi 26 gola dhe ndihmoi të tijtë drejt arritjes së objektivit në Bundesligë. Dzeko është një lojtar fantastik, i shkëlqyer, me saktësinë maksimale konkluduese, që shënon nga pothuajse çdo pozicion. Në një moment Milani ka arritur ta bindë Dzekon, por Wolfsburgu ka refuzuar ashpër të ulet e të diskutojë çdo lloj oferte për 23‑vjeçarin, i cili mund të ishte një aset i madh për sulmin kuqezi.
2. Emmanuel Adebayor (Arsenal): Adebayor ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer me Arsenalin, në harkun kohor 2007‑2008, por rezultoi një pakënaqësi e madhe së fundmi. Gjithsesi, Adebayor mund të jetë një alternativë e mirë, gjë që e tregoi kundër Villarrealit, në Ligën e Kampioneve. Një sulmues i aftë për të siguruar rezultate të bujshme. Ky qëllim mbetet ende i pakualifikuar, sepse nuk është bindur plotësisht për të mbërritur në Milano. Adebayor është jokonsistent në lojën tokësore, por ai mund t’i japë shumë avantazhe Milanit në lojën ajrore.
3. Luis Fabiano (Sevilja): Ndoshta nuk bën pjesë ende tek sulmuesit e klasit botëror, por Luis Fabiano, për nga aftësia konkluduese te Sevilja, e konfirmuar më së miri edhe në radhët e Brazilit, në Kupën e Konfederatave, plotëson kriteret e një lojtari shumë të aftë. 28‑vjeçari ka treguar formë të shkëlqyer te Sevilja gjatë viteve, ndërkohë që një kalim i mundshëm te Milani, do të shërbente pa diskutim si një stacion karriere me nivel më të lartë. Fabiano është një lojtar i ekipit kombëtar brazilian, kështu që fare mirë do të arrinte të kombinohej e koordinohej në lojë me patriotët e tij kuqezinj, Pato dhe Ronaldinjo.
4. Samuel Eto’o (Barcelona): Ë kërkon Interi dhe Milani, që janë gati ta afrojnë në gjirin e tyre, edhe pse Machester City e ka hipnotizuar financiarisht, me një megaofertë. Me sa duket, kamerunasi është në rrugën e tij për t’u larguar nga “Camp Nou” dhe, megjithëse Manchester City ka pushtetin për ta joshur financiarisht edhe Barcelonën, sulmuesi nuk ka shtysa profesionale për të shkuar në Angli. Milani, një mundësi e sigurt për të luajtur në Ligën e Kampioneve, mund të përdoret si “karrem” për ta tërhequr golashënuesin e dytë, më të mirë në Europë për sezonin e shkuar, për t’u bërë pjesë e Serisë A, si lojtar kuqezi.
5. Ezequiel Lavezzi (Napoli): Nëse Aurelio De Laurentis nuk do t’i luajë të gjitha kartat për ta mbajtur, atëherë Ezequiel Lavezzi është një karakter i keq, që brenda një nate mund të marrë vendim për të kaluar te Milani. 24-vjeçari, me ndeshjet që ka luajtur në Serinë A, i ka të gjitha aftësitë profesionale, tek të cilat Milani ka pse të besojë. Në vetvete, Levezzi është një talent madhështor, por që ka nevojë të kalojë në një klub më të madh, që loja e tij të përfshihet në një nivel më të lartë. Pavarësisht ritmit dhe talentit që ka, sulmuesi ka qenë në zbritje në dy vitet e fundit. Kjo jo për faj të tij, por për shkak se Napoli nuk ka bindur. Prandaj, nuk do shumë mend të kuptohet se ai do të donte që ta linte Napolin këtë verë. Destinacioni i ri? E ku do të kishte më mirë për të sesa Milani!
6. Antonio Cassano (Sampdoria): Nënshkrimi me Antonio Cassanon do të zgjidhte të gjitha problemet e Milanit. 26-vjeçari është një lojtar “zhivë”, që, pavarësisht karakterit të tij problematik, do t’i jepte gjallërinë e duhur sulmit kuqezi. Sezonin e fundit ai ishte një prej lojtarëve më të mirë italianë në Serinë A. “Peter Pan” tani është vetëm në fillimin e tij, por, për të përmbushur talentin e tij, shpeshherë edhe i paparashikueshëm, duhet të kalojë një një klub të madh, siç është Milani. Sidoqoftë, natyra dhe karakteri i tij i vështirë nuk do të jenë faktorë shumë të favorshëm për Milanin, i cili, kësisoj tipash i dërgon menjëherë në stolin e rezervave, ose në dhomat e zhveshjeve. Edhe pse është një lojtar i shkëlqyer me topin, Kasano e ka problemin te koka.
7. David Trezegue (Juventus): Milani paska qenë i lidhur me sulmuesin e Juventusit, David Trezegue, edhe më parë dhe, ndonëse agjenti i francezit e ka hedhur poshtë largimit e klientit të vet nga Torino këtë verë, ka ende mundësi që 31‑vjeçari t’i lërë bardhezinjtë. “Trezegol” do të ishte një mundësi perfekte për Milanin, edhe pse francezi nuk ishte në formën e tij më të mirë sezonin e fundit. Gjithsesi, përvoja e Trezegesë në Serinë A do të ishte një “armë” e mirë e Milanit, në ndihmë të Leonardos, si fillestar në stolin drejtues.
8. David Villa (Valencia): David Villa është në mënyrë të padiskutueshme sulmuesi më i mirë në Europë dhe çdo klub i kontinentit do ta kishte ëndërr nënshkrimin me të. Por problemi është se spanjolli ndërkombëtar tashmë e ka bërë të qartë se ai do që të luajë në “Primera Division”. Për më tepër, Milani nuk do të mund të nxjerrë nga arka e tij shumën e kërkuar nga Valencia për 27‑vjeçarin. Pavarësisht këtyre, Villa do të ishte një goditje e madhe e Milanit, me ndihmën e të cilit do të garantonte qëllimet, për të fituar Seria A sezonin e ardhshëm.
9. Klaas‑Jan Huntelaar (Real Madrid): Real Madridi ia ka bërë të qartë Jan Klaas‑Huntelaarit rrugën e tij, që nuk të shpie kurrsesi në “Bernabeu”. 25‑vjeçari ka qenë një golashënues i spikatur në ligën holandeze, me 8 gola në 13 javë, prandaj Real Madridi shpenzoi jo pak për të, për ta bërë të vetin. Duke qenë se si holandez, është lojtar tipik “gjahtar”, si Ruud van Nistelrooy, ai ka aftësitë e komportimit dhe marrjes vesh në mënyrë perfekte me Ronaldinjon. Holandezi ka shumë gjëra, të atij lojtari, për të cilin Milani është hedhur në treg.
10. Peter Crouch (Portsmouth): “Ne duhet të përfshijmë në planet e merkatos sonë edhe një “king robot”, që me kokë do të rikthente në klubin tonë Van Bastenin e dytë. Pavarësisht moshës së tij 28‑vjeçare, ai mbetet një alternativë e mundshme, të cilën agjentët tanë po e vëzhgojnë me kujdes.” Kështu është shprehur Galiani, para pak ditësh. Ndoshta nuk është shumë etike të spekulojmë me emrin e tij, por, nisur nga vetitë që i vishen atij, me siguri që Peter Krouç është një opsion i mundshëm. A është vërtet? Duhet të presim.