Çfarë dhuroi Kupa e Konfederatave 2009? Mbi të gjitha faktin se Brazili është skuadra që do të jetë më së vështiri të mposhtet në Botërorin 2010, i cili do të mbahet po ashtu në Afrikën e Jugut.
Super Brazili
U pa se Seleçao pati një sërë talentesh. Mjafton të mendosh se jashtë grumbullimit kishin mbetur Ronaldinho e Diego, Ronaldo e Adriano. Skuadra e Dungas dukej mjaft ‘evropiane’. Më pak lojë atraktive dhe më shumë efikasitet, në krahasim me Brazilin spektakular që jemi mësuar ta shohim. Brazilianët treguan se mund të fitojnë edhe kur nuk e kanë natën e tyre. Kjo skuadër e parë në Afrikë, përpos sulmit special, 15 gola në 5 ndeshje, ka demonstruar karakter dhe dëshirë për fitore. Një grup solid, me të vërtet solid. Ashtu siç demonstrojnë edhe deklaratat e futbollistit më të mirë të këtij kompeticioni Leite Kaka. “Çka thamë në pushim të pjesëve, kur po humbnim 0:2? ‘Yes, we can’ (Po, ne mundemi”. Ekipi amerikano-jugor në çdo turne niset me një thënie: “Do të fitojmë sepse ne jemi Brazili”.
Zhgënjyesit
Italia, mbi të gjitha. Kampionët e botës pësuan dy humbje nga tri ndeshje. Por, kjo nuk ishte e tëra. Edhe loja e tyre ishte mjaft monotone dhe e pakoordinuar si duhet. Azzurrët kanë kohë edhe një vit për ta përmirësuar lojën e tyre. Por, ndër zhgënjyesit ishte edhe kampioni i Evropës, Spanja. Seria prej 35 ndeshjesh pa humbje u prish nga një skuadër që fillimisht nuk ta mbushte syrin, SHBA, së cilës në fund i rrëshqiti finalja nga duart, pasi u mposht nga Brazili.
Afrika e Jugut, premtuese
Ky vend ishte organizator i Kupës së Konfederatave dhe do të jetë edhe i Kampionatit botëror 2010. Prova është kaluar. Natyrisht, mundësitë e përmirësimit mbeten lart, por vendi i parë afrikan që do ta organizojë Botërorin ka mundësi të mirë ta bëjë në mënyrë adekuate. Punët janë në zhvillim e sipër në të gjithë vendin dhe infrastruktura është e pranueshme. Stadiumet, rezervimet, nuk janë ndër më të mirët, por do të përmirësohen. Komplikuese mbesin çmimet e larta dhe vështirësitë për të gjetur bileta. Por, pasioni i tifozëve të Bafana Bafana është në rritje e sipër. Populli me ngjyrë po kënaqet nëpër stadiume. Edhe skuadra afrikane pati paraqitje të mirë: u mposht pa meritë nga Brazili dhe më pas nga Spanja.
Yjet
Luis Fabiano ishte golashënuesi më i mirë i këtij turneu. Ai pati paraqitje të shkëlqyeshme. Kaka ishte i pakapshëm dhe vendimtar. Paraqitje të mira patën edhe Lucio, Maicon e Felipe Melo. Te Spanja u dalluan Torres e Xabi Alonso, plus mbrojtësi Pique, që pati rritje të dukshme. Ngushëllimi i vetëm i Azzurrëve ishte sulmuesi Giuseppe Rossi. Ndër futbollistët që shkëlqyen në këtë kompeticion dhe që ia vlen të veçohen ishin edhe amerikanët Donovan e Dempsey dhe egjiptiani Zidan. Edhe te mikpritësit e Kupës së Konfederatave u shquan Parker e Tshabalala.