Një ditë pas prezantimit të përforcimit me vlerë prej 68 milionë eurosh, Leite Kaka në Santiago Bernabeu, Real Madrid ka vazhduar me blerje pas transferimit të sulmuesit Karim Benzemas nga Olympique Lyon për së paku 35 milionë euro, duke dërguar shpenzimet e klubit gjatë këtij afati kalimtar në mbi 200 milionë euro.
Reprezentuesi francez, Benzema pritet të nënshkruajë kontratë gjashtëvjeçare në ditët e ardhshme pasi Real Madrid dhe Lyon arritën marrëveshje për transferimin e tij me vlerë, e cila mund të ngrihet deri në 41 milionë euro, varësisht nga dëmshpërblimet.
“Futbollisti dëshiron të shfrytëzojë rastin e ofruar nga oferta e Real Madridit për t’u bërë njëri prej komponentëve kryesorë në projektin e ri dhe ambicioz të klubit”, thuhej në një komunikatë të Lyonit.
Këto ambicie kanë dërguar Realin në shpenzime të përgjithshme prej 200 milionë eurosh për katër përforcime gjatë kësaj vere. 21 vjeçari Benzema do t’i bashkohet Kakas, Cristiano Ronaldos (94 milionë euro) dhe mbrojtësit të Kombëtares spanjolle, Raul Albiol (15 milionë euro) në Bernabeu.
Marrëveshja i jep fund spekulimeve të shumta rreth futbollistit, i cili me Lyonin fitoi katër tituj të kampionit dhe një Kupë të Francës si dhe ishte golashënuesi më i mirë në sezonin 2007/08 me 20 gola.
Ai realizoi 17 herë për Lyonin në sezonin e fundit që përfundoi në dëshpërim. Ndërkohë, e përditshmja sportive spanjolle Marca ka njoftuar se pas Benzemas, Real Madrid synon të përmbyllë me sukses bisedimet për transferimin e dyshes së Liverpoolit, Xabi Alonso dhe Alvaro Arbeloa. Marca po ashtu ka raportuar se gjiganti madrilen ka veçuar mesfushorin e Valencias, David Silva si objektiv të ardhshëm.
Ribery e thërret Realin
Franck Ribery ka konfirmuar se dëshiron të largohet nga Bayern Munich – por vetëm për t’u transferuar në Real Madrid. Edhe pse kërkohet nga klube tjera të mëdha evropiane, përfshirë Barcelonën, Manchester United dhe Chelsea, ylli francez është i vendosur të kalojë në Santiago Bernabeu.
“Kam vendosur, dua të largohem. Dua të kaloj në Real Madrid dhe askund tjetër”, deklaroi Ribery për të përditshmen sportive franceze L’Equipe. Zyrtarët e Bayernit vazhdojnë të insistojnë se 26 vjeçari Ribery – i cili u transferua më 2007 nga Marseille – nuk është në shitje.