27 qershor 2009

“Milani shet yjet, por nuk harron objektivat”

Ndonëse është larguar Kakà, ndërkohë që edhe prezenca e Andrea Pirlos dhe Aleksandre Patos është në dyshim për sezonin e ardhshëm, administratori kuqezi, Adriano Galiani, premton sërish një Milan të madh dhe triumfues, si në Itali, ashtu edhe në Evropë. Numri dy i “Djallit” pranon se kriza ekonomike ka prekur futbollin italian, por Galiani mbetet optimist se skuadra e tij do të vazhdojë të qëndrojë në elitën e futbollit evropian.
Galiani, si ka mundësi që kriza ekonomike po pushton Serinë A?
Kriza ekonomike në përgjithësi ka ndikuar për keq në futbollin italian. Gjatë kësaj periudhe edhe sipërmarrësit më të mëdhenj janë të detyruar të “shtrëngojnë rripin” dhe si rrjedhojë edhe ne të botës së futbollit duhet të kujdesemi për bilancet. Nuk jemi vetëm ne të Milanit, pasi mjafton të shikosh Moratin dhe kupton që edhe zikaltrit kanë filluar të mendojnë për shitjen e yjeve të tyre.
Por Silvio Berluskoni për herë të parë në presidencën e tij ka filluar të mos investojë te Milani?
Nuk mund të ndodhte ndryshe. Mua më është kërkuar të barazoj bilancet. Për t’ia arritur këtij qëllimi sakrifikuam Kakànë dhe tani do përpiqemi të harxhojmë sa më pak me pagat e futbollistëve të tjerë. Por kjo nuk do të thotë se kemi hequr dorë nga projekti ynë për të ndërtuar një Milan kompetitiv në Itali dhe Evropë. Mbi këtë pikë tifozët duhet të rrinë të qetë, Milani po ndryshon lëkurë, por jo synimet e tij.
Ndërkaq, keni përforcuar Realin e Madrid me një kampion si Kakà?
Ne nuk mund të krahasohemi me Spanjën. Unë kam kohë që i kërkoj Ligës së Futbollit Italian të ndjekë të njëjtën politikë me atë spanjolle përsa i përket futbollit. Spanja gëzon favorizime në çdo aspekt, qoftë për klubet ashtu edhe për futbollistët.
Duke filluar që nga taksat fiskale?
Jo vetëm. Le të themi që Reali dhe Barcelona nuk kanë pse të ndajnë përfitimet e tyre me klubet e tjera, sepse në Spanjë nuk ekziston taksa për të drejtat televizive madje, as për arkëtimet në stadium. Duke pasur stadiumet e tyre rrisin të ardhurat vjetore në mënyrë të konsiderueshme. Me këto favore, nuk e kanë për gjë të paguajnë pagat stratosferike që përfliten ditët e fundit.
As 94 milionë eurot të shpenzuara për Kristiano Ronaldon nuk janë një problem për ta?
Reali ka luksin të blejë yjet që do, madje edhe t’ia shkëputë ata klubeve prestigjioze italiane dhe angleze. Në Itali ka diçka që nuk funksionon dhe kjo gjë duhet ndrequr sa më shpejt.
Sipas jush, edhe anglezët janë në vështirësi?
Premier Liga është me fat, sepse po mbështetet në një sistem të kolauduar prej kohësh, por edhe atyre u duhet të paguajnë taksat si ne dhe për këtë shkak e vuajnë shumë presionin që vjen nga Spanja.
Besoni se UEFA mund t’ju ndihmojë me idetë e Mishel Platinisë?
Ne po mirëpresim çdo propozim, por druhem se rrugët institucionale të harxhojnë shumë kohë. Për më tepër, jam i bindur se do jetë vetë merkatoja, që do vendosë çmimet bazë të futbollistëve. Për fat të keq, pa shuma të mëdha parash në qarkullim, do të bien kërkesat, e si rrjedhojë edhe çmimet e futbollistëve. Uroj që shumë shpejt do jetë Spanja, ajo që do i bashkëngjitet sistemit tonë të taksave dhe atij anglez.
Pas Kakàsë, klubet evropiane po tentojnë t’ju shkëpusin edhe yllin tjetër të skuadrës suaj, Paton...
I kemi rezistuar një oferte marramendëse për të, por nuk do t’ju them se cili klub e ka formuluar këtë ofertë.
Berluskoni në një intervistë të fundit ka lënë të kuptohet se edhe Pirlo është i lirë të largohet. Nëse një gjë e tillë konkretizohet, në Milano pritet të zbarkojë argjentinasi Gago. Sa e vërtetë është kjo?
Nuk kemi marrë asnjë ofertë për Pirlon, as nga Çelsi dhe as nga ndonjë klub tjetër. Andrea është një futbollist i Milanit, si rrjedhojë Gago nuk na intereson. Por nëse ikën, do mendohemi...