27 qershor 2009

“Këtë sezon do jem i pakalueshëm”

Mohamed Sisoko, mesfushori malian i Juventusit, i cili nuk mundi të ndihmonte skuadrën e tij në javët e fundit të kampionatit të kaluar është gati të nisë një tjetër sezon si protagonist. Numri 22 bardhezi ka rikuperuar plotësisht dëmtimin dhe pret me padurim të zbresë në fushë, pasi është i bindur se me Diegon dhe përforcimet e tjera që priten të zbarkojnë në Torino, “Zonja e Vjetër” do të jetë pretendete kryesore për fitimin e kampionatit të ardhshëm. “Jam shumë i lumtur nga aventura ime në Torino. Kur mbërrita te Juventusi në janar të vitit 2008, padyshim që kisha vështirësi në ambientim, por besoj se sezoni i kaluar ishte i jashtëzakonshëm për mua, me përjashtim të javëve të fundit, ku më duhej të ndalesha si pasojë e dëmtimit. Gjithsesi, besoj se sezoni i ardhshëm do të jetë shumë herë më pozitiv, qoftë për mua, ashtu edhe për skuadrën. Në Torino ndihem shumë i lumtur, sepse tifozët më duan dhe më quajnë të pakalueshëm, ndaj për sezonin e ardhshëm u premtoj atyre edhe më shumë impenjim e siguri në mesfushë. Diego e Kanavaro? Padyshim që janë dy emra të futbollit botëror, të cilët nuk kanë nevojë për komente. Sigurisht që me ta, Juventusi do të bëhet edhe më i fortë se sezonin e kaluar, por gjithsesi, unë pres ende përforcime të tjera, pasi sa më shumë kampionë të kemi në skuadër, aq më mirë do të jetë për ne”, deklaron mesfushori i bardhezinjve, Mohamed Sisoko.