27 qershor 2009

Eliminohet Suedia e Harbuzit dhe Bajramit

Përfaqësuesja e Suedisë, ku luan edhe Labinot Harbuzi e Emir Bajrami, është eliminuar në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian për grupmoshat U-21, pasi të premten është mposhtur nga Angli me rezultat të përgjithshëm 8:7, pas ekzekutimit të penaltive. Ndërsa 90 minutat e kohës së rregullt të këtij takimi kanë përfunduar me rezultat 3:3.Me këtë fitore, Anglia ka siguruar finalen e këtij evropiani ku do të takohet me fituesin e qiftit Itali-Gjermani. Në këtë takim nuk ka luajtur fare Emir Bajrami shkaku i kartonëve, dhe mungesa e tij është vërejtur mjaft në lojën e ekipit suedez. Ndërsa, Labinot Harbuzi është inkuadruar në lojë me të filluar pjesa e dytë. Harbuzi ka pasur paraqitje të mirë në këtë takim, duke asistuar tek bashkëlojtarët e tij, por edhe disa herë ka tentuar të shënon gol. Në pjesën e parë, anglezët kanë dominuar në fushë. Ata kanë kaluar në epërsi prej 1:0 në minutën e parë me golin që e ka shënuar Cranie. Epërsinë e Anglisë në 2:0 e ngriti Onuoha në minutën e 27-të të takimit. Kurse rezultatin në 3:0 anglezët e arritën falë autogolit që e shënoi Bjarsmyr në minutën e 38-të. Ndërsa, në pjesën e dytë suedezët arritën ta shkrijnë këtë avantazh të Anglisë, dhe ta barazojnë rezultatin në 3:3. Dy gola për Suedinë i ka shënuar Berg në minutën e 68-të dhe të 81-të, kurse një gol e shënoi Toivonen në minutën e 75-të të ballafaqimit.Me këtë rezultat skuadrat luajtën edhe dy herë nga 15-të minuta në vazhdime, por nuk arritën të realizojnë gola. Ndërsa, anglezët ishin më të përqendruar në ekzekutimin e penaltive, prej të cilave fituan ndaj suedezëve me rezultat 5:4.