JUVELIVE

23 maj 2009

E ardhmja e dyshimtë e Tevezit…

Karlos Tevez ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij, teksa drejtuesit e Mançesterit, Dejvit Xhil dhe Aleks Ferguson kanë përsëritur disa herë se e mendojnë argjentinasin si pjesë e ekipit edhe në të ardhmen. Tevez bëri të ditur pak ditë më parë se kishte vendosur të largohej nga “Old Traford”, i pakënaqur nga statusi në skuadrën me të cilën fitoi titullin e dytë radhazi në Premier Ligë.Sulmuesi tha se dëshironte të luante me një ekip tjetër në Angli, kur t’i mbarojë kontrata në muajin qershor. Totenhemi dhe Liverpuli nisën luftën në merkato për ta bindur, por Aleks Ferguson pohoi se do të bisedonte me futbollistin pas finales së Champions për ta bindur të qëndrojë. “Ndoshta ndaj Barcelonës mund të jetë ndeshja e fundit për mua me fanellën e Mançesterit, - tha Tevez.- Nuk jam i sigurt se çfarë do të ndodhë, por e di që gjithçka do të përcaktohet në javën e parë të qershorit, pas finales së Championsit. Për momentin dua të përgatitem më së miri për këtë ndeshje dhe të jap kontributim tim nëse më jepet mundësia.Për gjërat e tjera duhet të tregohem i durueshëm.” 25-vjeçari foli edhe për shokun e tij te Argjentina, Lionel Mesi. “Ai është një futbollist i jashtëzakonshëm. Kam biseduar me të në telefon dhe kemi ngacmuar njëri-tjetrin për finalen. Gjithsesi, Barcelona nuk është vetëm Leo Mesi.”