JUVELIVE

27 maj 2009

Diego: Juventusi, ëndrra ime

Pas shumë muajsh kontakte e bisedime, pas shumë thashethemesh, mbi të gjitha ato të javëve të fundit se, marrëveshja mund të dështonte me Juventusin, më në fund ka ardhur zyrtarizimi. Diego Ribas Da Kunja, më mirë i njohur nga të gjithë Diego, tashmë është një lojtar i Juventusit. Pas udhëtimit të tij në Torino dy ditë më parë, për kryerjen e vizitave mjekësore, dje, ish-mesfushori i Verder Bremenit ka firmosur kontratën me “Zonjën e Vjetër”, marrëveshje e vlefshme për pesë vitet e ardhshme. Ky lajm është zyrtarizuar klubi bardhezi, me anë të një deklarate për shtyp në uebsajtin e tij zyrtar: “Tashmë është zyrtare, Diego Ribas Da Kunja është një lojtar i Juventusit. Talenti brazilian ka firmosur një kontratë pesëvjeçare, që do ta lidhë me Juventusin deri në 30 qershor 2014. Juventusi do të derdhë në arkat e klubit gjerman të Verder Bremenit shifrën e 24.5 milionë eurove, të cilat do të shlyen në tri këste për tri vitet e ardhshme: 14 milionë euro më 1 korrik 2009, 5.5 milionë euro në 1 korrik 2010 dhe 5 milionë euro në 1 korrik 2011. Vlera e blerjes së tij mund të rritet maksimumi edhe 2.5 milionë euro të tjera, nëse në tri sezonet e ardhshme, Juventusi do të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampioneve, por gjithashtu edhe në rast të fitimit të trofeve kombëtar e ndërkombëtar”, lexohej në prezantimin e klubit juventin. Ndërkohë, menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes me “Zonjën e Vjetër” të futbollit evropian, Diego Ribas Da Kunja lëshon deklaratën e tij të parë për shtyp si një lojtar i Juventusit: “Jam shumë entuziast për kontratën time me Juventusin dhe njëkohësisht i nderuar që nga sot (dje) jam pjesë e një prej klubeve më prestigjioze në botë, një gjë të cilën e kam ëndërruar që në një moshë të vogël. Pas eksperiencës në Portugali dhe Gjermani, tani do të filloj të matem me futbollin e nivelit të lartë, në një nga kampionatet më të fortë dhe më kompetitivë në botë. Është momenti i duhur për t’i dhënë një tjetër ritëm karrierës sime sportive, ndaj Juventusi është skuadra e duhur për të treguar vlerat e mia reale dhe më të mira. Tani që kam përfunduar këtë marrëveshje të rëndësishme me Juventusin, dua të përqendrohem totalisht te finalja e së shtunës së ardhshme (Kupa e Gjermanisë), për ta mbyllur në mënyrën më të mirë karrierën time me fanellën e Verder Bremenit. Tifozerisë sime gjermane dua t’i bëj një dhuratë të bukur përpara se të largohem, sepse gjatë këtyre viteve në radhët e Verderit më ka mbështetur dhe ka brohoritur gjithmonë për mua. Nëse unë jam sot pjesë e Juventusit, një prej klubeve më të mëdha në botë është edhe merita e tyre”, deklaron fantazisti i ri i bardhezinjve, Diego.