01 prill 2009
Shkarkohet Poulsen pas dy muajsh punë
Jan B.Poulsen është shkarkuar nga federata armene pas dy rezultatesh zhgënjyese në eliminatoret e Botërorit 2010. Vendimi është marrë gjatë asamblesë së të hënës me presidentin e Federatës së Futbollit Armen, Ruben Hayrapetyan. Ky ishte veprimi që pasoi barazimin e Armenisë me rezultatin 2-2 kundër Estonisë të shtunën në Jerevan, në një ndeshje të vlefshme për Grupin 5 të Eliminatoreve të Botërorit. Poulsen e kishte pranuar detyrën e trajnerit në janar 2008, por me gjithë rezultatet pozitive në 12 ndeshjet e luajtura nën drejtimin e tij, Kombëtarja armene nuk ka ecur mirë. Pika e fituar të shtunën ka qenë e para për Armeninë në 5 ndeshje deri tani eliminatore, por e lë në vendin e fundit të Grupit 5. Zëvendëstrajneri Vardan Minasian ka marrë përkohësisht detyrën e trajnerit dhe do të drejtojë Armeninë në ndeshjen e kthimit ndaj Estonisë, që luhet sot në kryeqytetin Talin.