01 prill 2009

Kaka sulmon Milanin: Rilinda te Brazili

Kaka i ka shpallur luftë stafit mjekësor të Milanit, për qëndrimin e gjatë larg fushave të lojës. Nga grumbullimi me Kombëtaren braziliane në Porto Alegre, mesfushori shpjegoi përse do të aktivizohet në sfidën e sotme me Perunë. "Pas stërvitjes së sotme (djeshme) mendoj se jam në formë të shkëlqyer për të luajtur, edhe pse ndoshta nuk do të aktivizohem deri në fund të ndeshjes", deklaroi lojtari kuqezi. Objektivi i Kakasë është që të ndihmojë "seleçaon" të kualifikohet në fazën finale të Botërorit 2010. Ai siguroi se mund të luajë pa probleme përkrah Ronaldinjos. "Natyrisht që pas pauzës më mungon disi ritmi i lojës, por besoj se do ta rifitoj gjatë qëndrimit në fushë. Unë dhe Ronaldinjo nuk mund të luajmë njëkohësisht? Së bashku kemi zhvilluar ndeshje të mëdha dhe mund t‘i përsërisim këto paraqitje. Mjafton që të dy të sakrifikojmë pak".Më pas filloi sulmi: "Gjatë qëndrimit njëjavor në Brazil, jam përmirësuar më tepër sesa pas pesë javëve në Milano". 26-vjeçari ka pasur probleme me artikulimin e këmbës së majtë, megjithatë konfirmoi se ndihet më mirë. "Nuk kam më dhimbje dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Në të ardhme do të sillem ndryshe, në rastet kur do të jem i dëmtuar, sepse futbolli ka ndryshuar shumë në këto vitet e fundit: është bërë një lojë shumë fizike dhe duhet të kujdesem më shumë për trupin tim", shtoi ai. "Nuk mund të them nëse janë bërë gabime gjatë rehabilitimit fizik. Ajo që mund të konfirmoj me siguri është se në të ardhme, nëse do të kem probleme, vendimet për kurimin nuk do të jenë të njëjta". Fjalët janë interpretuar si akuza për stafin e "MilanLab", megjithatë, për të qetësuar situatën ka ndërhyrë zv/presidenti i Milanit, Adriano Galiani. Ai nuk është i shqetësuar nga deklaratat që në harkun e pak minutave bënë xhiron e botës: "Në fjalët e tij nuk kam vënë re asnjë kritikë kundrejt stafit tonë mjekësor. Ashtu si e theksoi edhe vetë Kaka, kjo është java e gjashtë e dëmtimit, e për këtë arsye më duket më se normale që ka filluar të shërohet. Flas vazhdimisht me lojtarin dhe marrëdhënia e tij me klubin vazhdon të jetë shumë e mirë".Vetëm një ditë më parë, Dunga kishte shprehur të njëjtën pakënaqësi për dëmtimin afatgjatë. "Janë të shumtë ata që e shohin Brazilin si një vend të botës së tretë, megjithatë ne jemi më të mirët në fushën e mjekësisë sportive. Mendoj se kjo ishte arsyeja përse në harkun e pak ditëve Kaka zgjidhi një problem, i cili e shoqëroi te Milani gjatë pesë javëve të fundit". Ançeloti u ishte përgjigjur këtyre deklaratave duke thënë: "Duhet të presim dhe të shohim se në çfarë gjendje do të kthehet lojtari nga Brazili". Prej kohësh, ndërmjet stafit të përfaqësueses amerikano-jugore, drejtuar nga profesor Runko (mjek tek i cili të gjithë lojtarët brazilianë kanë shumë besim) dhe stafit mjekësor të Milanit ka pasur kritika dhe replika të vazhdueshme. Gjithçka filloi me Ronaldon, më pas me Ronaldinjon dhe tani për të dytën herë me Kakanë. Pas barazimit 1-1 në fushën e Ekuadorit, Brazili zbriti në vendin e katërt të grupit eliminator (pozicioni më i ulët për t‘u kualifikuar) dhe rruga drejt Botërorit 2010 është vështirësuar dukshëm. Në anën tjetër, Peruja, e cila është e vetmja skuadër që ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e Kupës së Botës, renditet e fundit.