JUVELIVE
▼
01 prill 2009
Runi dhe Lampard një zëri: Suksesi, meritë e Kapelos
Besimi te skuadra e Anglisë ishte i ulët, kur drejtimin e saj e mori tekniku italian, Fabio Kapelo, pas eliminimit në eliminatoret e "Euro 2008". Por pas afro 24 muajsh punë nën drejtimin e Kapelos, "Tre luanët" janë rikthyer suksesshëm, duke fituar të katër ndeshjet e deritanishme për eliminatoret e Botërorit 2010. Sulmuesi i Mançester Junajtid, Runi, tani ka besimin e plotë se Anglia nën drejtimin e italianit mund të fitojë me çdo kundërshtar. "Po, ne mund të fitojmë çdo ndeshje, pohoi Runi, dhe kjo ka ardhur për shkak të drejtimit të Anglisë nga Kapelo. Ai është i shkëlqyer në punën që bën. Kapelo e di se çfarë kërkon nga ne dhe arrin të marrë rezultatin më të mirë". Me mendimin e Runit se "suksesi i Anglisë i dedikohet punës së Kapelos", bashkohet dhe mesfushori i Çelsit, Lampard. Rruga e kualifikimit për në Botëror po kthehet në një formalitet për Anglinë, por kjo erdhi menjëherë pas dështimit të saj për të luajtur në "Euro 2008". "Disiplina në punë, që ka vendosur Kapelo, është një element i vërtetë për kthesën e bërë nga Anglia, nënvizoi Lampard. Shikoni pak mbrapa për të kuptuar se Kapelo ishte njeriu që ne kishim nevojë. Kishim nevojë për një lider me karakter të fortë dhe atë e gjetëm. Vendimet që merr nuk janë të lehta, por ai vendos pa asnjë dyshim". Lampard sjell edhe një krahasim mes Kapelos dhe Murinjos, kur ky i fundit drejtonte Çelsin: "Të dy ushqejnë besim. Detyra e drejtimit të Anglisë nuk është e lehtë: çdo gjë kalon në mikroskop për çdo gabim të vogël. Tani të gjithë, futbollistët, media, publiku, i kanë parë gjërat që Kapelo ka bërë dhe mendoj se ne duhet ta ndjekim në rrugën e tij".