03 prill 2009

Frank Riberi kurorëzohet mbret i Francës

“Merci, Ribery!” Ky ishte titulli kryesor i të përditshmeve franceze për ndeshjen e Francës kundër Lituanisë, zhvilluar të mërkurën në Paris. Ndeshja përfundoi 1-0 (ashtu dhe në Lituani katër ditë më parë) dhe heroi i ndeshjes sërish ishte Frank Riberi. Ylli i Bajernit ka fshehur të gjitha mangësitë e Francës me golat e tij në të dyja ndeshjet kundër Lituanisë, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010, duke i afruar më shumë me kualifikimin ekipit të tij.I gjithë shtypi francez ka akuzuar përfaqësuesen dhe trajnerin Domenek për një ndeshje të dobët dhe pa spektakël nga ana e tyre. Me Henri kapiten (Viera ishte në tribunë) dhe Gurkufin jashtë forme, ylli i vetëm i francezëve ishte Frank Riberi, që diti të shpëtojë Francën dy herë brenda katër ditëve nga një moskualifikim i mundshëm në Botërorin 2010.