03 mars 2009

Pato ndihet më i vetmuar në sulm

Sulmuesi i Milanit, Aleksandre Pato, ndonëse të dielën ka firmosur golin e tij të 15-të sezonal me kuqezinjtë, përballë mediave italiane flet për krizën që ka mbërthyer skuadrën. Ndër të tjera gjen kohën për t’i bërë disa sugjerime të vogla teknikut kuqezi, Karlo Ançeloti. “Golat e mi vlejnë pak, – shpjegon Pato, – kur nuk fitojmë dhe kjo gjë më bezdis shumë. Më vjen keq, sepse kam shënuar 15 gola gjatë këtij sezoni, por disa prej tyre nuk kanë shërbyer për t’i sjellë pikë të vyera skuadrës. Jam i sigurt se Milani do arrijë të dalë nga kjo krizë rezultatesh, në të cilën është futur dhe do të arrijë të kualifikohet për në Ligën e Kampioneve gjatë sezonit që vjen”. Më pas, sulmuesi kuqezi, i cili gjatë këtij sezoni ka shënuar 12 gola në kampionat dhe 3 në Kupën UEFA, përfiton nga rasti për t’i dhënë këshilla teknikut, duke i treguar këtij të fundit se përkrah tij dëshiron edhe një tjetër sulmues, pasi kështu do të kishte më shumë hapësira në fushë: “Gjatë pjesës së parë kundër Sampdorias isha i izoluar totalisht në sulm, por me aktivizimin e Inzagit, situata u përmirësua dukshëm e si rrjedhojë arrita edhe të shënoj. Personalisht e kam më të lehtë të realizoj, kur Milani luan me dy sulmues. Për momentin duket sikur jemi në krizë, por mund të them se dëmtimet e shumta e kanë penalizuar mjaft skuadrën. Të luash pa katër ose pesë lojtarë titullarë nuk është e lehtë për asnjë skuadër”. Braziliani Aleksandre Pato shprehet optimist për kualifikimin e Milanit në zonën e Ligës së Kampionëve, në fund të këtij kampionati: “Jam i sigurt në kualifikimin e skuadrës sonë në Champions. Ky kompeticion evropian nuk do të kishte kuptim pa Milanin për dy vjet radhazi. Ne i kemi të gjitha mundësitë për të arritur këtë objektiv minimal”, ka përfunduar sulmuesi Aleksandre Pato, ose siç thirret ndryshe nga tifozeria kuqezi ‘Patoku’.