03 mars 2009

Milani po punon për një cikël të ri

E ardhmja e Milanit varet shumë nga kualifikimi në Ligën e Kampionëve për sezonin që vjen. Në mungesë të kësaj arritjeje, manovrat e merkatos për sezonin e ri do të ndërlikoheshin së tepërmi. Gjithsesi, objektivi kryesor i drejtuesve për sezonin e ardhshëm është rinovimi i skuadrës. Duke filluar që nga mbrojtja e plakur në moshë e deri tek sulmuesit me peshë që Karlo Ançeloti kërkon prej kohësh. Në mbrojtje, me largimin e Maldinit në përfundim të sezonit, pritet ardhja e mbrojtësi danez të Liverpulit, Daniel Ager. Por përveç Maldinit, edhe Favali e Senderos pritet t’i japin fund aventurës së tyre kuqezi. Për të zëvendësuar këta dy elementë, Milani kagati alternativat: i pari është braziliani Tiago Silva, i cili që tani ka filluar të stërvitet me skuadrën dhe tjetri është Filip Mekses, që prej kohësh kërkohet nga drejtuesit kuqezi. Përsa i përket mesfushës, pas konfirmimeve të Flamini e Bekham, i vetmi që mund të largohet në fund të sezonit është Klarens Sedorf, i cili pritet të zëvendësohet me Johan Gurkuf. Por edhe e ardhmja e Ronaldinjos me Milanin është në dyshim. Në sulm Shevçenko dhe Inzagi duket se e kanë prerë biletën e largimit. Kurse Borielos, drejtuesit duan t’i japin edhe një shans tjetër. Ndërkaq, Adebajor i Arsenalit mund të jetë një nga sulmuesit e ardhshëm.