Sulmuesi katanez ka shënuar një gol të mrekullueshën në derbin e Siçilisë: Një gol që vlen dyfishin
Ishin rreth 50 metra. Dhe është për këtë arsye që goli i Xhiuzepe Maskarës ndaj Palermos, që të kujton shumë ato të Diego Armando Maradonës, do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit siçilian. Nuk është kënaqur vetëm duke shënuar në një mesditë të mrekullueshme për futbollin e Katanias, por Maskara, ka dashur të bëjë diçka të paharrueshme në ditën më të bukur të sezonit të tij.
“Të fillojmë nga gjëja kryesore, - ka thënë heroi i ditës -, ose më saktë nga kjo fitore në transfertë, që mungonte prej pothuajse dy vitesh. Pritej pasi larg stadiumit tonë kishim zhvilluar disa paraqitje të mira. Disa herë kemi gabuar dhe për këtë arsye nuk kemi arritur të marrim rezultate pozitive. Ky ka qenë një gol me një shije të veçantë, ka një vlerë të dyfishtë. Në një derbi, në një ndeshje të tillë, dua ta shijoj me të gjithë shokët e ekipit”.
ZENGA DHE REZULTATI - Një derbi të tillë Valter Zenga as nuk e kishte ëndërruar. Befasia për rezultatin e thellë është e tillë sa trajneri siçilianëve ka thënë: “Ka qenë një fitore që ka ardhur si pasojë e përqendrimit dhe seriozitetit. Duhet të falenderoj lojtarët, jam me të vërtet tepër i lumtur këtë fitore 4-0, edhe pse duhet të them se bëhet fjalë për një rezultat shumë të thellë. Kështu bëhet dhe më e vështirë të përshëndetesh me kundërshtarin kur fiton në këtë mënyrë”, ka thënë ish-portieri interist, i cili ka shfrytëzuar rastin për t’u kundërpërgjigjur: “Më bezdiste të dëgjoja njerëz që thonin se nuk fitonim dot prej dy vitesh”.
ZAMPARINI Pavarësisht zërave të shumtë, që kanë qarkulluar pas ndeshjes Palermo-Katania, Davide Balardini është dhe do të mbetet trajneri i palermitanëve. Këtë e ka konfirmuar vetë pronari i Palermos, Zamparini, i cili ka përgënjeshtruar kategorikisht hipotezat për një ndryshim në drejtimin e stolit të skuadrës së tij: “Zenga e ka mundur Balardinin 4-0, por unë nuk do ta largoj nga detyra”. Zamparini, edhe pse ka siguruar besimin ndaj teknikut, nuk i ka përmbajtur kritikat ndaj ekipit: “Ky është momenti më i keq qëkur ndodhem tek Palermo”, ka thënë presidenti siçilian.