02 mars 2009

Kontratë rekord për Kristiano Ronaldon

Klubi i Mançester Junajtid është duke përgatitur një kontratë me pagesë rekord për fantazistin portugez Kristiano Ronaldo. Sipas asaj që shkruan shtypi britanik, fituesi i “Topit të artë” dhe “Lojtari më i mirë i vitit” do të përfitojë një pagesë prej 200 mijë sterlinash në javë. Saktësisht, 10.4 milionë sterlina në vit nga kontrata e re që po përpilohet nga juristët e klubit. Kjo rritje e ndjeshme e pagesës së 23-vjeçarit, shihet si një zgjidhje ideale e Fergusonit, për të mbajtur në “Old Treford” beniaminin e tij. Një burim pranë Ronaldos u shpreh për të përditshmen britanike: “Kristiano e ka larguar nga mendja largimin drejt Realit të Madridit. Verën e shkuar kur vendosi të qëndrojë në radhët e Junajtid, mendoi ta bëjë vetëm një vit, por tani i ka vënë vetes të tjera ambicie, duke qenë pjesë e Mançesterit”.