02 mars 2009
“Golat e mi ia dedikoj Lipit”
Asisti i katërt i Kasanos për golin e pestë të shënuar në këtë sezon nga Pacini. Bashkëpunimi ndërmjet dy lojtarëve të Sampdorias funksionon shumë mirë dhe dje kundër Milanit pikërisht një pasim nga talenti barez i ka mundësuar ish-fiorentinasit të shënojë golin e dytë. E ndërkohë Antonio Kasano, autori i golit të parë, ka vendosur të përgëzojë shokun e tij të skuadrës, i cili që nga momenti që ka ardhur tek Xhenoa ka sjellë vetëm pikë dhe gola për skuadrën. “Pacini është mjaft i zoti dhe ka shënuar shumë gola të vlefshëm për ne, – ka deklaruar për ‘Sky Sport’. – Shpresoj që të mund të bëhet pjesë e kombëtares, sepse është me të vërtetë shumë i mirë. Unë në kombëtare? Nuk e di... Lipi ka deklaruar se dyert janë të hapura për të gjithë, shpresoj që të jetë kështu edhe për mua. Nuk është se mund apo duhet të ndryshoj, sepse unë jam kështu”. Ish-sulmuesi i Romës dhe i Realit ka vendosur të tregojë edhe pse i ka kërkuar fanellën Bekhamit në përfundim të sfidës me Milanin: “Është miku im dhe është një njeri që më ka mbetur në zemër pas Realit, kjo është e vetmja arsye”.