03 mars 2009
Frenk Riberi, nga Barça te Mançesteri
Duket se e ardhmja e Frenk Riberi sa vjen e qartësohet. Të paktën është më larg Bajernit të Mynihut. Vazhdon të përflitet për një transferim të mundshëm te tijin te Barcelona, por ende nuk është arritur një marrëveshje dhe të dyja klubet e kanë konfirmuar këtë. Gjithsesi, nuk përgënjeshtrohet interesi i katalanasve. Madje, ata kanë gati edhe një ofertë të mirë për klubin bavarez. Është përfolur se trajneri Guardiola ka ideuar një ofertë të leverdishme për të dyja skuadrat. Ata janë të gatshëm të japin një shifër të majme prej 30 milionë eurosh dhe kartonin e Aleksander Hleb, i cili pritet të zërë vendin e Riberisë te bavarezët. Ndërkohë që me paratë, gjermanët do të bënin përforcime të nevojshme. Nga ana tjetër, katalanasit nuk do e kishin problem largimin e mesfushorit bjellorus. Madje me ardhjen e Riberisë, ata do kishin lojtarin e duhur që u mungon në krahun e majtë të mesfushës. Mirëpo nuk janë vetëm spanjollët ata që interesohen për futbollistin. Në sulm është hedhur edhe Mançester Junajtid. “Djajtë e kuq” janë mjaft vigjilentë për situatën e francezit, e cila është në fakt në varësi të së ardhmes së portugezit Kristiano Ronaldo. Ky mund të largohet gjatë merkatos së verës dhe destinacioni më i mundshëm është Reali i Madridit. Pasi klubi spanjoll të bëjë zgjedhjet për president në verë, cilido që të zgjidhet pritet të tentojë blerjen e Ronaldos, duke qenë se është një objektiv realisht i arritshëm. Mançesteri nuk do ta lërë atë pa një ofertë të majme dhe pritet që 40 milionë prej tyre t’i ruajë për Frenk Riberi. Të përditshmet gjermane kanë publikuar ditën e djeshme se, Aleks Ferguson e ka cilësuar yllin francez të Bajernit si zëvendësuesin e duhur të portugezit dhe se ardhja e tij do bënte që të mos ndihej mungesa e Kristianos. Pra, para dy klubesh kaq prestigjioze dhe para ofertave të tilla, si lojtari, ashtu edhe krerët bavarezë nuk pritet të bëjnë rezistencë. Në fakt, do të jenë pikërisht trajneri Jurgen Klinsman dhe menaxheri Uli Hënes, ata që do të përzgjedhin ofertën më të mirë. Por meqenëse largimi i Riberisë do të lërë një boshllëk të madh në skuadër, duhet gjetur patjetër një element tjetër cilësor. Dhe kandidatura e ofruar nga Barça, ajo e Aleksander Hlebit, nuk do të ishte aspak e keqe për klubin gjerman.