03 mars 2009

“Bajerni po humbet shumë pikë”

Franc Bekenbauer nuk është shumë i kënaqur me Bajernin e tij. Ai ka deklaruar se ekipi po shpërdoron pikë tepër të vlefshme, në një kohë që ka pasur mundësinë të merrte maksimumin. “Të barazosh në transfertë me një skuadër si Verder Bremeni është një rezultat mjaft i mirë. Por situata ishte disi ndryshe. Ata luajtën me një lojtar më pak për më tepër se 75 minuta dhe ne duhet të kishim përfituar nga kjo gjë. Krijuam raste për shënim, por nuk ditëm të finalizojmë. Po humbasim shumë pikë dhe po lejojmë që skuadrat e tjera të rritin diferencën. Megjithatë ka ende kohë dhe shumë ndeshje për të fituar kryesimin”, u shpreh presidenti i klubit gjerman, Franc Bekenbauer, duke u munduar të zgjojë skuadrën e tij.