JUVELIVE

02 mars 2009

Ançeloti: Milani i vjetër vetëm kur humbet!

Trajneri kuqezi është i sigurt që momenti i vështirë i skuadrës do të kalojë: Shpresojmë të riaftësojmë Kakanë
Nuk është e vërtetë që nuk funksionon asgjë. Rezultatet na ndëshkojnë, gjendja nuk është shumë e mirë, por duhet të jemi të qetë, sepse kjo periudhë do të kalojë dhe do të kthehemi ata që kemi qenë gjithnjë”. Karlo Ançeloti predikon optimizëm, por merr edhe përgjegjësitë, që i takojnë pas humbjes me Sampdorian në kampionat: “Nuk ndihem unë përgjegjësi kryesor dhe asnjë në këtë klub nuk më bën të ndihem i tillë, këtë e them me bindje. Jam përgjegjës siç jemi të gjithë”.
Humbja me Sampdorian e ka përkeqësuar atmosferën që nuk ka qenë prej kohësh e mirë te Milani. “Ishte një ndeshje delikate, pësuam dy gola, - shpjegon trajneri kuqezi. - Pjesa e parë ishte e ekuilbruar dhe e kontrolluar nga të dyja skuadrat, pastaj ta përmbysje ndeshjen ishte e vështirë. Pësuam gola në mënyrë të lehtë. Nuk morëm një rezultat pozitiv, por duhet të kemi besim: gjërat do të përmirësohen dhe duhet të arrijmë në vend të tretë që për ne është i padiskutueshëm.
Duhet ta kalojmë sa më shpejt këtë moment të vështirë”. Sigurisht, alibija e Milanit mbetet problemi i dëmtimeve, ku tashmë është humbur edhe besimi. Shumë mungesa, por cili mes Gatuzos, Nestës e Kakasë, mbetet i pazëvendësueshëm? “Të tre kanë peshën e tyre, - përgjigjet Ançeloti, - kur gjërat shkojnë keq mendja të shkon te mungesat. Për vështirësitë që kemi, ndoshta Nesta do të ishte më i vlefshëm. Dhe Kakanë shpresojmë ta riaftësojmë të dielën që vjen”. Mbi Ronaldinjon, edhe një herë tjetër i detyruar ta shikojë ndeshjen si spektator, Ançeloti sqaron:
“Asnjë polemikë apo diskutim, ka një problem që nuk e lejon të stërvitet”. Dhe pas problemit të dëmtimeve, kthehet edhe çështja e moshës: zëvendësimet e bëra dje nga Ançeloti, flasin për 107 vite mes Emersonit, Favalit e Inzagit. “Luajtën mirë, duke dhënë një ndihmë të madhe. Për moshën e vjetër flitet vetëm kur gjërat shkojnë keq, por do të doja të kujtoja që në 2007-ën, fituam në Europë me mesataren më të lartë të të gjithë Championsit. Kjo skuadër nuk është kaq e vjetër sa ç’thuhet”.