03 shkurt 2009

Pato - “Aktualisht ndihem për mrekulli”

Talenti i Milanit, 19-vjeçari Alesandre Pato, shënon nga ndeshja më ndeshje. Falë tij, kuqezinjtë gjatë këtij sezoni kanë koleksionuar fitore të rëndësishme. Ndaj Lacios, talenti brazilian shënoi golin e tij të dhjetë në kampionat. E në përfundim të takimit Milan-Lacio, Alesandre Pato lavdëron Devid Bekhamin për pasimin e saktë në rastin e golit të parë: “Ndaj Lacios kemi bërë një ndeshje të madhe. Në rastin e golin të parë për mua ishte shumë e lehtë të shënoja, pasi pasimi i Bekhamit ishte tepër i saktë. Është e habitshme se me sa lehtësi e saktësi arrin ta krosojë topin Devid. Për momentin po bëj gjithçka që më kërkon trajneri. Ndihem mirë dhe jam i lumtur që po shënoj”, ka përfunduar “Patoku”’, siç thirret nga shokët e tij.