03 shkurt 2009

Bekham: Me Milanin, derbin dhe titullin

Aktualisht Devid Bekham është loj tari më në formë i skuadrës kuqezi. Kjo gjë dallohet qartë kur shikon statistikat e mesfushorit britanik. Në katër ndeshje, “Beks” ka shënuar dy herë, ndërkohë që edhe dy golat e parë të shënuar ndaj Lacios kanë ardhur falë pasimeve të sakta të dhëna prej anglezit. Duket qartë që Bekham është ambientuar më së miri te Milani dhe ka arritur të bëjë atë që nuk bëri dot Ronaldinjo kohë më parë. Ndërkaq, mësohet se anglezi do të mund të luajë me kuqezinjtë edhe në Kupën UEFA kundër Verder Bremenit më datë 18 shkurt. Një fakt, që e ka lënë pa fjalë mesfushorin anglez. Një ditë pas asaj fitoreje ndaj Lacios, Bekhamka shprehur të gjithë lumturinë e tij përballë mikrofonave të “Sky Sport”: “Jam shumë i lumtur, por mbi të gjitha, i habitur nga përfshirja ime në listën e lojtarëve që do luajnë në Kupën UEFA”. Aktivizimi i Devid në Kupën UEFA është një faktor tepër domethënës mbi qëndrimin e këtij të fundit deri në përfundim të sezonin nën petkun kuqezi: “Gjithsesi, më bëhet qejfi që Milani dëshiron të mbështet tek unë për Kupën UEFA. E vlerësoj shumë këtë gjest dhe dëshiroj me gjithë zemër të mos i zhgënjej, pse jo duke dhënë kontributin tim në fitimin e titullit. Edhe Kupa UEFA është një kompeticion që më mungon, e do ishte bukur sikur të shënoja e t’i dhuroja Milanit kualifikimin për në raundin tjetër”. Ndërkaq, më 15 shkurt Milani do përballet me Interin. E me sa duket, Bekhamin nuk e impresionon shumë ky fakt: “Gjatë karrierës sime kam luajtur shumë ndeshje derbi në Mançester. S’besoj se ka ardhur momenti të shqetësohemi
që tani për Interin, ndeshje që gjithsesi, duhet fituar. Por më parë duhet të mos gabojmë ndaj Rexhinës”. Tashmë lajme të mira vijnë për tifozët e Milanit mbi të ardhmen e Devid Bekhamit. Pasi drejtori administrativ, Galiani, ka bërë të ditur se ekziston mundësia që Milani ta mbajë britanikun deri në fund të sezonit: “Mund ta mbajmë ‘Beksin’ deri në fund të sezonit. Ne do bëjmë të pamundurën për ta realizuar. Do të ishim krenarë nëse ai do qëndronte me ne. Për këtë motiv e kemi përfshirë edhe në listën e lojtarëve të Kupës UEFA”. Pas fitores ndaj Lacios, tifozët e Milanit mund të gëzojnë sërish, pasi mundësitë e qëndrimit të yllit anglez te Milani sa vijnë e shtohen.