03 shkurt 2009

Mutu bën 101 gola, Fiore buzëqesh

Kthehet Mutu nga dëmtimi, rigjen veten Fiorentina. Rumuni ka arritur kuotën e 100golave në Itali, duke e ndihmuar skuadrën të gjejë më në fund fitoren. Skuadra vjollcë, dje ia ka dalë mbanë të mposhtë Bolonjën në ndeshjen që ishte shtyrë të dielën për shkak të borës. Ishsulmuesi i Juves e Çelsit, autor i golit të parë të takimit, festoi duke nxjerrë një fanellë me diamant të stampuar. Pas pak minutash, Mutu shënoi edhe golin numër 101, duke i dhënë qetësinë ekipit të drejtuar nga Prandeli. Ishte dygolëshi i dytë në këtë kampionat për rumunin. Mingacini shkurtoi diferencën përkohësisht për bolonjezët, ndërsa si përfundim, Xhilardino vulosi suksesin bindës të vjollcëve, që kishin që nga viti '96 që nuk dhunonin fushën e Bolonjës. Ky trepikësh i jep mundësinë Fiorentinës të kapërcejë Romën dhe të shkojë në vendin e pestë të renditjes së Serisë A, dy pikë larg Xhenoas.