03 shkurt 2009

Lampard, ankesë për të kuqin

Federata Angleze e Futbollit konfirmoi dje se ka marrë një kërkesë për rishikimin e kartonit të kuq të pësuar nga mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard, në ndeshjen me Liverpulin. Ky ndëshkim erdhi për lojtarin e “bluve” pas ndërhyrjes së tij me takë drejt këmbëve të spanjollit, Ksabi Alonso. Arbitri Majk Rili ndodhej shumë larg nga skena e faullit, megjithatë rrezikshmërinë e ndërhyrjes e cilësoi tepër të lartë, prandaj nuk nguroi të nxjerrë kartonin e kuq. Kjo nuk ishte hera e parë që Lampard dhe Alonso shkëmbejnë taka me njëri-tjetrin. Në vitin 2005, mesfushori anglez me një ndërhyrje të tillë i theu kaviljen rivalit të Liverpulit. Ai pritet të mungojë në ndeshjet kundër Hullit e Aston Vilës, si dhe në raundin e pestë të Kupës përballë Uatfordit.