JUVELIVE

15 tetor 2008

LAJMET NEWS 15.10.2008


Villa në bisedime me Manchester Cityn
Njoftohet se drejtuesit e Manchester Cityt janë në bisedime me agjentin e yllit të Valencias, David Villa, njërit nga lojtarët më të kërkuar në Evropë. Gazeta spanjolle “Marca” ka njoftuar se ‘Pasanikët’ janë duke bërë një ofertë të majme për të kërkuar nga sulmuesi spanjoll të largohet nga Mestalla. E njëjta gazetë shkruan se deri më tani përfaqësuesit nga Manchester City kanë pasur dy takime me agjentin e Villas, Jose Luis Tamargo. Këto takime nuk janë konfirmuar nga asnjëra prej skuadrave, mirëpo “Marca” njofton se City është në gjendje të ofrojë shumë para për sulmuesin e Valencias. Sheikët janë të bindur se një ofertë prej 100 milionë eurosh do të mjaftojë për t’ua ndërruar mendjen drejtuesve të Valencias që të heqin dorë nga ylli i tyre.

Ancelotti: Kam nxjerrë gjëra pozitive nga humbja
Trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, është i befasuar nga humbja 2-1 ndaj klubit shqiptar Tirana, në ndeshjen e mbrëmshme miqësore, por shpreson se nga ky rezultat negativ të nxjerrë diçka pozitive.
Në fushë për rosonerët u rikthyen Alessandro Nesta dhe Filippo Inzaghi, por ky i fundit pësoi sërish një lëndim pas një sfide me portierin Blendi Nallbani. “Ishte një një stërvitje e mirë për ne dhe pash disa paraqitje të mira individuale nga disa lojtarë. Ronaldinho po përmirësohet gjithë kohën, por edhe Nesta dhe Inzaghi ishin po ashtu të mirë. Lëndimi i Inzaghit nuk është serioz, ishte vetëm një goditje”, ka thënë Ancelotti. “Nesta kundër Sampdorias? Ndoshta, por duhet të presim. E pash dëshirën për të fituar dhe nervozizmi për të rikthyer rezultatin, ishte i mirë. Na mungoi diçka në pjesën e fundit të ndeshjes”, ka komentuar Ancelotti ndeshjen e mbrëmshme.

Gullit: Ancelotti është në nivel të njëjtë me Ferguson dhe Wenger
Ish-lojari i rosonerëve, holandezi Ruud Gullit, thotë se Carlo Ancelotti është personi i duhur për Milanin.
Gullit ka luajtur krahas Ancelottit në vitet e vonshme të 80-tave, dhe thotë se trajneri aktual i Milanit është në të njëjtin nivel me dy trajnerët e Premierligës, Alex Ferguson dhe Arsen Wenger. Rosonerët kanë një fillim të dobët të sezonit në të cilin pësuan dy humbje pas secilës u çua shumë pluhur për të ardhmen e trajnerit, por Gullit beson se Ancelotti është personi i duhur për Milanin. “Carlo Ancelotti është një person perfekt për pozitën e trajnerit të Milanit. Ai është një taktik i shkëlqyeshëm. Ai është në të njëjtin nivel sikurse edhe Alex Ferguson dhe Arsen Wenger”, ka thënë holandezi. Milani në ndeshjen e djeshme miqësore ndaj Tiranës, ka pësuar edhe një humbje, duke u mposhtur me rezultat 2-1 në Qemal Stafa.

Interi do t’i thotë lamtumirë San Siros
Mediat italiane përcjellin lajmin se presidenti i Interit, Massimo Moratti, deri në fund të këtij viti do të marrë dritë jeshile për të ndërtuar stadium të ri. Gazzetta dello Sport ka shkruar se Interi tashmë e ka filluar procesin për ndërtimit e stadiumit të vet dhe ka filluar studimet dhe planet për çdo detaj. Gazeta shkruan se deri në fund të vitit klubi italian do të marrë leje për ndërtimin e shtëpisë së vet, që do të duhej të futej në përdorim në sezonin 2012/2013. Stadiumi i ri i nerazurëve me siguri do të jetë në stilin e Allianz Arrenës, një stadium modern me pesë yje dhe me kapacitet prej rreth 60000 ulëseve. Në kompleks do të duhet të ketë restorante, qendra shopingu, madje edhe lojëra për tifozët më të rinj.

Vieri i gatshëm për Milanin
Drejtori sportiv i Atalantës, Carlo Osti, ka folur për rikuperimin e sulmuesit veteran Christian Vieri duke thënë se ai do të jetë i gatshëm të paraqitet kundër ish-skuadrës së tij, Milan.
“Vieri është duke u kthyer nga lëndimi dhe tashmë është në fazën e fundit të rikuperimit”. “Nga java e ardhshme ai do t’u bashkëngjitet lojtarëve tjerë dhe mendoj se ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Milanit”, ka thënë Osti.

Inter vazhdon ta ndjekë Agueron
Interi planifikon që në sezonin e ri ta transferojë yllin e Atletico Madridit, Sergio Aguero, ndërsa për ta realizuar këtë do ta ketë edhe ndihmën e legjendës argjentinase, Diego Armando Maradona.
20-vjeçari konsiderohet si njëri nga lojtarët më të mirë të gjeneratë së re duke lënë gjurmë edhe në La Liga edhe në nivelin ndërkombëtar me Argjentinën. Atletico ka një marrëveshje me sulmuesin deri në vitin 2012, ndërsa nëse ndonjë skuadër dëshiron shërbimet e tij, duhet të paguajë 60 milionë euro. Ky çmim nuk e shqetëson aspak trajnerin zikaltër, i cili e konsideron Agueron si shënjestrën kryesore në sezonin 2009/2010.

Trajneri Haan kërkon rezultat pozitiv
Trajneri i Kombëtares Kuqezi, Arie Haan, mendon se skuadra është kthyer në formë të mirë për ndeshjen super-të rëndë përballe Portugalisë e cila ka nevojë të domosdoshme për tre pikët kundër Shqipërisë.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për Portugalinë që kërkon të ngjitet në renditjen e grupit. Por edhe ne kemi qëllimet tona, unë besoj se do ta kemi mundësinë për befasi”. "Skuadra e ka kaluar gjendjen që e goditi pas takimit me Hungarinë. E dimë që është vështirë përballë një ekipi si Portugalia, por skuadra duhet të reagoje pas një humbjeje”. “Detyra ime si trajner, është që ta përgatis një gjë të tillë. Ne rast se skuadra nuk do të reagojë, kjo tregon se diçka nuk shkon”, ka thënë në konferencën për shtyp trajneri Arie Haan.

Curri: Të përqendrohemi në takimin e nesërm
Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Debatik Curri, ka kërkuar nga bashkëlojtarët që ta harrojnë zhgënjimin me Hungarinë dhe të përqendrohen te takimi i të mërkurës.
“Ishte me te vërtet për të ardhur keq. Vinim pas tre rezultateve pozitive dhe sinqerisht përjetuam çaste jo te mira pas ndeshjes”. “Tani duhet ta harrojmë atë humbje sa me shpejt. Trajneri ka kërkuar përmirësimin në të gjitha repartet”, është cituar Curri nga Top-Channel. Curri ka folur edhe për mungesën e Dallkut, duke pohuar se ai është një lojtar i rëndësishëm për kombëtaren dhe mungesa e tij ne fushe do te ndihet shume. “Dallku është një lojtar titullar e do te ndihet mungesa e tij. Dhe vete Dallku është mërzit pak, por janë gjera që ndodhin ne futboll. Ai kërkon të japë maksimumin në çdo ndeshje”, ka thënë Curri.

Totti luan kundër Interit
Trajneri i Romës Luciano Spalletti shpreson që kapiteni dhe simboli i Giallorosëve, Francesco Totti, do të jetë i gatshëm për ndeshjen derbi kundër zikaltërve të Mourinhos.
Totti është duke u rikuperuar dhe duke u stërvitur në Trigoria, ndërsa Spalleti ka njoftuar se ai do të luajë kundër Nerazzurëve. “Shpresoj ta kem Tottin për ndeshjen kundër Interit. Ai do të luajë, së paku në njërën gjysmë”, ka thënë Spalletti.

Gattuso do të luajë në mesfushë
Shkatërruesi i Milanit, Gennaro Gattuso, është stërvitur më skuadrën Azzure sot në mëngjes dhe pritet të aktivizohet në ndeshjen e të mërkurës kundër Malit të Zi.
Mesfushori ishte në dyshim për takimin e rëndësishëm kualifikues për Kampionatin Botëror 2010, mirëpo ai është stërvitur pa ndonjë problem në Via Del Mare këtë mëngjes dhe sipas të gjitha gjasave ai do të jetë në njëmbëdhjetëshin e parë të Marcello Lippi. Mesfushori i Romës, Daniele De Rossi dhe sulmuesi i Villarrealit, Giuseppe Rossi, kanë munguar në stërvitje, dhe janë të dyshimtë për ndeshje për shkak të lëndimit. Megjithatë Lippi ka qenë i bindur se lojtarët e lënduar do të rikuperohen për ndeshjen e nesërme.