JUVELIVE

15 tetor 2008

E paparë! Tirana hyn në histori

Bardheblutë fitojnë 2-1 ndaj kuqezinjve legjendarë
Në një atmosferë padyshim unike, që për nga pjesëmarrja e të pranishmëve në stadium i kalonte përmasat e ndeshjeve të përfaqësueses, madje dhe të atyre që gjatë këtyre viteve mund të konsiderohen si ngjarjet më të rëndësishme mbarëkombëtare, është zhvilluar mbrëmë takimi miqësor mes Tiranës dhe Milanit legjendar. Një takim, gjatë të cilit surprizat nuk kanë reshtur për asnjë moment. Rezultati final i kësaj miqësoreje mund të konsiderohet në mënyrë të padiskutueshme çudia më e madhe, pasi Tirana, 23 herë kampione e Shqipërisë, ka mundur me rezultatin 2-1 Milanin, kampion bote në fuqi për klube. Dy golat spektakolarë të bardhebluve, të realizuar përkatësisht nga Daniel Xhafaj në të 29’ dhe Muzaka në të 72’, kanë bërë që Tirana të triumfojë mbi kuqezinjtë legjendarë, të cilëve nga ana tjetër nuk u ka mjaftuar një traversë dhe goli i vetëm i shënuar nga Ronaldinjo në minutën e 91’. Thuajse i mbushur me kapacitet të plotë, në të gjithë stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” për të parën herë nuk ka pasur “luftë” mes tifozerisë, e cila mbrëmë ka mbështetur në mënyrën më të zjarrtë që të dyja skuadrat. Një mbështetje kjo e sportdashësve që kishin mbushur shkallët e stadiumit, që u bë edhe më e nxehtë deri pas ndeshjes e madje dhe ndarjes së trofeut të parë “Taçi Oil Albania Reads”. Prekjet magjike të topit nga ana e yjeve kuqezi kanë fituar në çdo moment duartrokitjet dhe brohoritjet e të gjithë të pranishmëve në stadium, të cilët gjithashtu kanë provuar emocionet më të mëdha në momentet e shënimit të golave bardheblu që i dhuruan Tiranës lavdinë e një fitoreje të magjishme. Duke thyer çdo parashikim me triumfin e arritur mbrëmë ndaj Milanit legjendar, që numëron numrin më të madh të trofeve ndërkombëtarë, padyshim që komplimentet më të mëdha shkojnë për kontingjentin bardheblu. Me imazhin e ri të prezantuar mbrëmë, Tirana jo vetëm që ka korrur sukses ndaj kuqezinjve, por madje në pjesën e dytë të takimit ka ndezur edhe reagimin e ashpër të futbollistëve milanistë. Këta të fundit, ndonëse bënë gjithçka për të mos e humbur këtë miqësore, kanë shënuar mbrëmë në Tiranë disfatën e tyre të 6 në 8 miqësoret e zhvilluara në këtë edicion. Ndryshe nga eksperiencat e mëparshme të lidhura mes dy kampeve, kësaj here fituesi i “Topit të Artë”, Shevçenko, është larguar i mundur nga stadiumi “Qemal Stafa” ndryshe nga koha kur me ekipin e tij përfaqësues, Ukrainën, fitoi 2-0 ndaj Shqipërisë. Nga dueli mes krerëve të dy pankinave, të cilët janë ndeshur në të kaluarën në kampionatin italian kur Ançeloti aktivizohej me Milanin, ndërsa Slishkoviç me Peskaran, kësaj here ka triumfuar lavdia e vjetër boshnjake, “Baka”.


Milan kudo, nga Rinasi deri në “Qemal Stafa”
I kishin parë vetëm në televizor dhe nuk mund ta humbnin shansin të mos i shikonin ‘live’ tani që shkelën në tokën e tyre. Kjo ndoshta ishte arsyeja që atmosfera në aeroportin “Nënë Tereza” kishte marrë pamjen e atij të Malpensës, kur yjet e Milanit kthehen në qytetin e tyre pasi kanë fituar ndonjë ndeshje ose ndonjë trofe shumë të rëndësishëm. Ora 11:00, më shumë se 400 tifozë shqiptarë kanë pritur dje për më shumë se dy orë skuadrën kuqezi. Të gjithë me aparatet fotografike gati, madje me sytë e ‘veshët katër’ se mos ndonjë prej yjeve të skuadrës më të titulluar në botë i shpëtonte objektivit të tyre. I pari mbërriti Shevçenko, i cili nuk kishte udhëtuar me skuadrën, pasi kishte ardhur direkt nga Londra. Një valë thirrjesh në kor “Milan, Milan” shoqërojnë yllin ukrainas në ato pak metra që bën nga dalja e aeroportit deri te makina që e pret për ta transportuar drejt kryeqytetit shqiptar, të cilin ai e viziton për të dytën herë. Sërish në pritje, dhe kësaj radhe të të gjithë pjesës tjetër të milanistëve. Organizatori i këtij evenimenti, Rezart Taçi, ka një shprehje kënaqësie në fytyrë, por nuk e fsheh se ka një dozë ankthi. Ndoshta me të drejtë, sepse është i pari që sjell Milanin në tokën shqiptare. Kalojnë më shumë se 45’ minuta dhe avioni çarter me të cilin udhëtojnë yjet e një prej skuadrës më të njohur të planetit prek tokën shqiptare. I pari nga avioni zbret administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, i ndjekur më pas nga Barezi, Masaro dhe gjithë pjesa tjetër e skuadrës. Ankthi sa vjen e shtohet dhe shtytjet e bërrylat e fansave shqiptarë marrin përmasa shqetësuese gjatë atyre minutave. Sikur të mos mjaftonte kjo, për ta çoroditur akoma më shumë situatën, është shoferi i autobusit ai që mendon për këtë, i cili nuk e çon skuadrën kuqezi te dalja e personave VIP, aty ku prisnin të gjithë, por i dërgon te dalja normale. Lojtarët qetësisht dalin jashtë, por sapo pikasen nga turma e fansave, shohin para syve të tyre një maratonë të vërtetë, pasi të gjithë nisin të vrapojnë në drejtim të tyre. Një pamje e tillë i befason jo pak futbollistët e Milanit, të cilët gjenden menjëherë të rrethuar nga fansat e shumtë. Kapiteni Maldini nuk e humbet toruan dhe si një dirigjent i mirë iu bën thirrje tifozëve që ta marrin shtruar. Janë vetëm disa sekonda deliri në radhët e tifozëve, sepse më pas ndërhyjnë punonjësit e sigurisë dhe forcat e rendit për të çarë rrugën dhe për të rivendosur sërish distancat mes lojtarëve dhe fansave. U deshën vetëm pak minuta që sheshi para daljes nga aeroporti të boshatiset dhe të bëhet gati për parakalimin e yjeve të Milanit, të cilët nën brohoritma e klithma tifozësh të ekzaltuar, i drejtohen autobusit.


Lojtarët
I pari në radhë është Dida, i cili me një seriozitet prej gardiani, pasi studion situatën për disa sekonda, merr guximin të udhëheqë skuadrën drejt autobusit. Emri i tij thirret disa herë në kor, por më pas gjithçka fokusohet te bomberi Pipo Inzagi, i cili pasi i përshëndet të gjithë, niset nxitimthi drejt autobusit. Pas tij të gjithë në radhë, që nga Maldini, Ambrozini, Borielo, Pirlo etj. Gjithçka ndizet kur kalon asi brazilian, Ronaldinjo, i cili nuk ngurron t’i përshëndesë fansat shqiptarë me gjestin e tij karakteristik. Me flokët e lëshuara dhe me një palë syze që i zinin thuajse gjysmën e fytyrës, ai ndjek hap pas hapi shtatlartin Nesta. Ky i fundit arrin të çajë në turmën e gazetarëve dhe të tifozëve, të cilët nuk pushojnë së shkrepuri aparatet fotografike. Ambrozini ndërkaq, me një pamje fillimisht gazmore, por më pas të çuditur, përshëndet shpejt të gjithë turmën dhe nxiton të futet brenda. Nga brenda autobusit sodit turmën e llastuar dhe përshëndet sërish. Ronalidinjo, pasi është akomoduar në një nga sediljet e para përkrah Emersonit, nuk përton ta ngacmojë patriotin e tij, madje i sugjeron që të shohë përreth, gjithnjë me buzëqeshjen karakteristike në fytyrë. Ende pa u mbyllur mirë dera e autobusit, sirenat e policisë mbysin atmosferën zhurmuese të krijuar në harkun e 10’ minutave dhe udhëheqin skuadrën e Milanit drejt kryeqytetit.

Galiani: Milani në Tiranë, falë Taçit
“Nëse Milani ndodhet sot këtu, për këtë duhet të falënderoni presidentin e kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçin, i cili bëri të pamundurën që kjo të realizohej dhe ia arriti qëllimi”, ka thënë administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, në konferencën e djeshme për shtyp. Ai më pas ka falënderuar të gjithë shqiptarët për mikpritjen që i kanë bërë skuadrës kuqezi, duke thënë se kjo ishte një kënaqësi e madhe edhe për të. “Jam i kënaqur dhe krenar që ndodhem këtu mes miqsh – ka thënë drejtuesi i lartë i Milanit. – Falënderoj të gjithë shqiptarët për mënyrën se si na kanë pritur. Jam i lumtur dhe krenar që skuadra e Milanit ka kaq shumë tifozë edhe në Shqipëri”. Më tej ai është ndalur në takimin që zhvilloi dje me kryeministrin Berisha dhe e falënderoi atë për të pritjen dhe respektin që tregoi ndaj delegacionit dhe klubit të Milanit. “Ndihem i nderuar nga fakti që kryeministri i vendit tuaj, Sali Berisha, organizoi një pritje për ne, – ka shtuar Galiani. – Gjatë gjithë kohës ai na foli në gjuhën italiane, çka tregoi më së miri vlerësimin që ka për vendin tonë dhe për klubin tonë. I shpreha atij përshëndetjet e përzemërta të presidentit të Milanit, Silvio Berluskoni, sepse fola me të para se të vija këtu dhe me sinqeritetin më të madh më tha se do të donte që edhe ai të ndodhej këtu në këto momente”.


Taçi
Presidenti i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi, e quajti ditë historike atë të djeshmen dhe vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me klubin dhe drejtuesit e Milanit. “Jam shumë i lumtur, sepse sot u realizua një ëndërr të të gjithë sportdashësve shqiptarë dhe falë bashkëpunimit e vullnetit të mirë me drejtuesit e klubit të Milanit, demonstruam qartë se ëndrrat mund të bëhen realitet. Jam shumë i lumtur që Milani ndodhet në Tiranë dhe akoma më i lumtur që tifozët shqiptarë do të mund të shohin nga afër yjet e tyre”, është shprehur dje Taçi, gjatë konferencës për shtyp. Më tej ai ka theksuar edhe njëherë se qëllimi i vizitës së Milanit mbart në vetvete edhe vlera të larta humanitare, pasi një pjesë e mirë e parave që do të përfitohen nga biletat, do të përdoren për bamirësi, por edhe për ndërtimin e bibliotekave në qytete të ndryshme të Shqipërisë. “Në thelb të gjithë kësaj nuk është vetëm argëtimi, por edhe bamirësia e investimi në projekte serioze. Milani ka vendosur të dhurojë 100 mijë euro për organizatën e UNICEF, ndërkohë që ne jemi impenjuar maksimalisht për të ndërtuar biblioteka në qytete të ndryshme të vendit. Një pjesë e parave do të shkojnë për bamirësi në ndihmë të atyre që kanë nevojë”, ka thënë Taçi. Ai ka falënderuar përzemërsisht administratorin e deleguar të Milanit, Adriano Galiani dhe gjithë stafin e kuqezinjve për bashkëpunimin gjatë gjithë kësaj periudhe. “Doktor Galiani është padyshim një nga njerëzit që ka kontribuar më shumë që Milani të vijë në Tiranë dhe kjo është realizuar edhe falë punës dhe këmbënguljes së madhe të tij”, ka thënë Taçi.

Berisha në stadium pas 13 vitesh
Përveçse i ka pritur në ambientet e Kryeministrisë, kreu i saj Sali Berisha, ka zgjedhur t’i ndjekë “djajtë kuqezi” përballë Tiranës në ndeshjen për trofeun “Taçi Oil Albania” nga tribuna VIP në shkallët e impiantit “Qemal Stafa”. Për herë të fundit kreu i Ekzekutivit ka qenë i pranishëm në stadium në vitin 1995, për eliminatoret e kampionatit evropian Euro 1996, vit në cilin Shqipëria fitonte me rezultatin e pastër 3-0 ndaj kombëtares moldave. Ndërkohë edhe këtë radhë kryeministri Berisha ka qenë ‘këmbë mbarë’ për tanët, këtë herë për Tiranën, gjë të cilën e pohon pas ndeshjes. “Siç e shohim, unë sjell vetëm mbarësi kur vij në stadium. Këtë ditë e konsideroj si hapje të fushatës zgjedhore me fitore”. Në takimin që zhvilloi në Kryeministri me përfaqësinë e ekipit prestigjioz të futbollit italian, Berisha shprehu kënaqësinë e tij dhe të sportdashësve shqiptarë për këtë eveniment kaq prestigjioz dhe kaq të dobishëm.


Dinjo: I lumtur që erdha këtu
Që kur shkeli në tokën shqiptare, i përshëndeti fan- sat e këtij vendi me gjestin e tij karakteristik. Më vonë e tha publikisht në konferencën e djeshme për shtyp se ishte i kënaqur që ndodhej në Shqipëri. Ylli brazilian i Milanit, Ronaldinjo, ka vlerësuar mikpritjen e ngrohtë të shqiptarëve. “Jam i kënaqur që ndodhem këtu dhe i falënderoj të gjithë për mikpritjen. Gjatë gjithë këtyre orëve që kam qëndruar në Shqipëri kam ndjerë mbështetjen dhe ngrohtësinë e sportdashësve rreth meje. Jam i lumtur që jam këtu edhe për faktin që ndodhem në këtë vend me fanellën e Milanit”, ka thënë ylli brazilian. Gjatë gjithë kohës nuk i ka munguar buzëqeshja karakteristike në fytyrë, madje gjatë konferencës nuk i ka mbajtur dot të qeshurat nga batutat anti-Inter. Braziliani pranoi t’u përgjigjej me thjeshtësi të gjitha pyetjeve të gazetave. Pyetjes nëse ai e mbante mend Lorik Canën, me të cilin ka luajtur te Paris SG, braziliani i është përgjigjur: “Po, më kujtohet dhe di që ishte një futbollist i talentuar. Më vjen mirë që ma kujtuat dhe më vjen mirë që ai tani është bërë një futbollist shumë i zoti”, ka thënë Ronaldinjo. Në pjesën më të madhe të kohës ishte i veshur sportiv, me flokët e lëshuar dhe me kufjet në vesh. Edhe gjatë orëve të qëndrimit të tij në Shqipëri i është dashur të përballet më një lumë kërkesash për autografe dhe foto. Ai ka folur më pas edhe për ndeshjen, teksa ka thënë: “Shpresojmë të bëjmë një ndeshje të mirë, ku të gjithë të mund të argëtohen”.


Borielo
Në një moment disa nga fansat e Milanit i kanë shpëtuar mbulimit të punonjësve të sigurimit dhe kanë nxituar t’i kërkojnë foto sulmuesit të Milanit, Marko Borielos. Ky i fundit, i ka dribluar ata duke iu thënë: “Më mirë dilni me Shevçenkon në foto. Priteni këtu se po vjen pas meje”. “Shigjetat” e sulmuesit italian në adresë të yllit ukrainas, ngjallën zhgënjim, por edhe humor te tifozët shqiptarë.

Për Canën
Pyetjes nëse ai e mbante mend Lorik Canën me të cilin ka luajtur te Paris SG, braziliani i është përgjigjur: “Po, më kujtohet dhe di që ishte një futbollist i talentuar. Më vjen mirë që ma kujtuat dhe më vjen mirë që ai tani është bërë një futbollist shumë i zoti”, ka thënë Ronaldinjo. Ndërkaq, babai i futbollistit shqiptar, Agim Canaj është takuar dje me asin brazilian dhe ka bërë edhe foto me të.


Kuzhinieri: Ja si ushqehen milanistët
Kuzhinieri i Milanit, Oskar Pazini, mbërriti enkas në Shqipëri për të gatuar për skuadrën. “Gatuaj për Milanin prej 20 vjetësh. Lojtarët te kuqezinjtë janë nga vende me kuzhinë të ndryshme. Jo të gjithë hanë njësoj, por kur shohin ushqimin që bëjmë ne, e dinë që është ai i duhuri. A bën Ronaldinjo naze në të ngrënë? Jo, futbollistët janë mësuar. Ata hanë shumë perime, ku domatja është e përditshme, lloje të ndryshme makaronash, djathë parmixhan, rizoto, mish viçi”, tha 52-vjeçari.


Ikin menjëherë pas ndeshjes
Menjëherë pas vërshëllimës së fundit të takimit Tirana-Milan, i gjithë formacioni kuqezi nuk priti asnjë moment në tokën shqiptare, por u nis direkt përtej Adriatikut. Në një atmosferë të ndezur e gjithë armata kuqezi u përcoll mes ovacionesh dhe përshëndetjesh nga çdo tifoz, ndërsa linte fushën e gjelbër të “Qemal Stafës”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Karlo Ançeloti nuk vonoi për t’iu drejtuar avionit të tyre çarter në aeroportin “Nënë Tereza”. Sot të besuarit e Ançelotit do të vijojnë direkt me seancat stërvitore në prag të ndeshjes në kampionatin italian ndaj Sampdorias.


Maldini: I kënaqur që jam pjesë e këtij projekti
Ashtu si çdo pjesëtari tjetër të Milanit, edhe Paolo Maldinit i ka rënë në sy mikpritja në Shqipëri si dhe prania e shumë tifozëve të skuadrës kuqezi gjatë gjithë kohës që ata qëndruan në Shqipëri. Në konferencën për shtyp, kapiteni legjendar i Milanit ka falënderuar në emër të të gjithë skuadrës, mënyrën se si u prit ekipi kuqezi dje. “Përfitoj nga rasti që të falënderoj në emër të të gjithë skuadrës, mikpritjen që na është ofruar në Shqipëri. Jam i kënaqur që marr pjesë në projektin e nisur nga “Taçi Oil” dhe nga Milani, jo vetëm në cilësinë e kapitenit të Milanit, por edhe si ambasador i UNICEF-it”, ka thënë mbrojtësi i famshëm i skuadrës kuqezi gjatë deklaratës së djeshme në konferencën për shtyp. Maldini ashtu si edhe trajneri i kuqezinjve, Karlo Ançeloti, ka thënë se objektivi i Milanit për këtë sezon është që të fitojë kampionatin italian të Serisë A dhe gjithashtu Kupën UEFA. “Do të përpiqemi maksimalisht që t’i arrijmë këto objektiva”, është shprehur futbollisti


Për Ançelotin, humbja ndaj Tiranës, një stërvitje e suksesshme
Ishte një stërvitje e suksesshme për ne, pasi pata mundësinë të inspektoja si duhej paraqitjen e disa lojtarëve. Padyshim që Ronaldinjo po shfaq një përmirësim të dukshëm. Në qendër të vëmendjes sime ishin edhe Nesta e Inzagi. Ky i fundit u dëmtua në kofshë dhe u desh të linte ndeshjen që në pjesën e parë, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Përsa i përket Nestës, ai mund të aktivizohet edhe ndeshjen e të dielës, por kjo vetëm nëse do të jetë e nevojshme, pasi nuk dua t’i përshpejtoj gjërat. Personalisht për mua, kjo disfatë e pësuar përballë Tiranës nuk ishte aspak e ngjashme me atë ndaj Luganos. Në këtë ndeshje pashë dëshirën e skuadrës për të reaguar e madje, edhe një lloj irritimi të duhur. Ajo që na mungoi mendoj se ishte diçka në fazën finale para portës”, ka qenë pikërisht ky, komenti i dhënë mbrëmë nga trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, menjëherë pas disfatës së pësuar ndaj Tiranës me rezultatin 2-1.